Sipas anketave dhe të dhënave të tjera, një prirje prej dekadash drejt ateizmit, e cila ka qenë më e ngadaltë në Amerikë në krahasim me shumë vende të tjera të zhvilluara, duket se po rritet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1965, në një anketë të organizatës Gallup, 70% e pjesëmarrësve thanë se feja është “shumë e rëndësishme” në jetën e tyre. Sot, vetëm 45% e amerikanëve thonë se feja është “shumë e rëndësishme” për ta.
“Brezat e rinj ndoshta nuk janë rritur në të vërtetë në një traditë fetare, ata shkonin në kishë aq shpesh… kështu që mendoj se kjo është një arsye e madhe për këtë rënie”, thotë Jeff Jones nga organizata Gallup.
26% e amerikanëve thonë se nuk ishin të lidhur me një fe në 2023, që është një rritje krahasuar me vitin 2013, kur 21% e amerikanëve dhanë këtë përgjigje, sipas Institutit Publik të Studimit të Fesë.
I njëjti studim sugjeron se këta njerëz që nuk kanë lidhje me fenë nuk janë të interesuar të mësojnë më shumë për fenë. Vetëm 9% e tyre thonë se janë të interesuar të gjejnë një komunitet të ri fetar.
Rënia e pjesëmarrjes në meshat kishtare tregon për një ndryshim të madh në jetën dhe angazhimin qytetar amerikan, sipas studiuesit David Campbell, i cili thotë se amerikanët në të kaluarën janë larguar nga llojet e tjera të grupeve, por kishin ruajtur lidhjet me organizatat fetare.
“Amerikanët kanë më pak gjasa të kalojnë kohë me njëri-tjetrin në llojet e grupeve dhe organizatave ku ata mësojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ku bashkohen për t’u mobilizuar për një çështje”, thotë ai
“Ka shumë më pak aktivitete të këtij lloji dhe rënia e besimit është një arsye e madhe për këtë.”
Campbell, profesor në Universitetin Notre Dame në Indiana, thotë se një arsye tjetër për rënien e besimit fetar mund të jetë një “reaksion ndaj të drejtës fetare” mes njerëzve që tashmë ishin të distancuar nga feja.
“Nuk dua të sugjeroj se kjo është arsyeja e vetme e largimit të njerëzve nga feja, por është padyshim një nga arsyet kryesore”, thotë profesor Campbell, bashkautor i studimeve shkencore mbi lidhjet midis politikës dhe fesë në Shtetet e Bashkuara.
“Gjithnjë e më shumë, në mendjet e shumë amerikanëve, feja është e lidhur me çështjet e të drejtave fetare, me Partinë Republikane, apo ndoshta me ish-Presidentin Donald Trump. Dhe për këtë arsye shumë njerëz nuk duan të jenë pjesë e asnjë besimi”, thotë ai.
Sam Abrams, studiues në Institutin “American Enterprise”, i cili rendit “njerëzit e lirë, tregjet e lira dhe qeverisjen e kufizuar” si vlerat e tij thelbësore, vuri në dukje se një nga rëniet më të mëdha të pjesëmarrjes në aktivitetet fetare që nga ngritja politike e zotit Trump ka qenë në mesin e grave.
“Mund të jesh në fakt nga një familje mjaft fetare, por tani retorika ekstreme konservatore për çështjet si aborti dhe roli i grave po i largon gratë e reja nga kjo dhe po i kthen ato në ateiste, agnostike apo njerëz që nuk besojnë në ‘asgjë’”, thotë zoti Abrams, i cili është gjithashtu profesor i politikës dhe shkencave shoqërore në Kolegjin Sarah Lawrence.
“Një çështje më e madhe i parapriu kësaj prirjeje, thjesht një vale drejt laikes dhe largimi nga organizatat fetare u pasua nga fenomeni i së djathtës ekstreme, që i ka larguar njerëzit nga feja me një ritëm shumë të shpejtë”, tha ai.
Në një anketë të organizatës “Pew Research”, 28% e pjesëmarrësve thanë se janë ateistë, agnostikë ose “nuk besojnë në asgjë” kur bëhet fjalë për fenë.
Rreth dy të tretat e njerëzve të pyetur thanë se nuk janë fetarë, sepse ata vënë në dyshim një pjesë të konsiderueshme të mësimeve fetare ose nuk besojnë në Zot.
Rënia e numrit të njerëzve që marrin pjesë në shërbesat fetare po ndodh në të gjitha grupmoshat, sipas organizatës Gallup.
“Ne shohim pjesëmarrjen në tubimet fetare shumë më të lartë në mesin e brezave të moshuar dhe shumë më të ulët në mesin e brezave të rinj, megjithatë ka një rënie në të gjitha grupmoshat”, thotë zoti Jones.
Rritja e numrit të njerëzve që po shkëpusin lidhjet me orgnizatat fetare filloi pas Luftës së Ftohtë, e cila përfundoi në vitin 1989, thotë profesor Campbell. Shelly Melia, profesoreshë në Universitetin Baptist të Dallasit, thotë se pandemia COVID-19, e cila detyroi shumë institucione fetare të ndërprisnin shërbesat fetare në objektet e tyre për një periudhë kohore, mund të ketë përshpejtuar prirjen e distancimit të njerëzve nga feja.
Zonja Melia beson se të rinjtë po kërkojnë diçka ndryshe nga prindërit e tyre. Ndërsa të moshuarit mund të tërhiqen nga ndërtesat e kishave dhe ngjarjet zyrtare fetare, të rinjtë mund të preferojnë një qasje të ndryshme./VOA