Sergio Aguero mund të detyrohet që të tërhiqet nga futbolli. Lajmin e jep “Catalunya Radio”, sipas së cilës, sulmuesit argjentinas të Barcelonës i është thënë se problemi me zemrën që pati nuk është aspak i lehtë.
Aritmia që vuan Aguero mund të mos e lejojë më që të luajë futboll. 33-vjeçari la fushën e lojës ndaj Alaves, duke vënë dorën në gjoks e duke kërkuar ndihmën e mjekëve.
Pas këtij lajmi, Kun Aguero ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke mohuar zërat mediatikë se do të detyrohet të tërhiqet nga futbolli.
Sulmuesi argjentinas, që mbërriti verën e këtij viti te Barcelona si lojtar i lirë, ka postuar pak fjali, si përditësim të gjendjes së tij shëndetësore: “Nisur nga thashethemet, ju informoj se jam duke ndjekur indikacionet e mjekëve të klubit, duke bërë analizat dhe trajtimin e duhur. Do ta shoh ecurinë time brenda 90 ditëve. Gjithmonë pozitiv”.
Barcelona njoftoi më 2 nëntor se sulmuesi pati një problem kardiak dhe do të qëndronte larg fushave të lojës për 3 javë.
Aguero do t’i nënshtrohet vizitave të tjera muajt e ardhshëm, por “Radio Catalunya” nënvizon se në klub nuk janë optimistë.