Irani ka refuzuar t’iu dorëzojë hetuesve ndërkombëtarë kutitë e zeza të avionit që u rrëzua në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ku humbën jetën 176 persona.
Avioni i “Ukraine Airlines”, me destinacion Kievin, u rrëzua pak minuta pasi u ngrit nga aeroporti i Teheranit dhe shkaktoi vdekjen e të gjithë personave në bord.
Tragjedia dodhi vetëm pak orë pasi Teherani kishte lëshuar 15 raketa balistike në drejtim të dy bazave amerikane në Irak, duke përhapur frikën se avioni mund të jetë qëlluar gabimisht nga mbrojtja ajrore iraniane.
Fotot e publikuara së fundmi tregojnë mbetjet e avionit me vrima predhash, për të cilat disa ekspertë mendojë se mund të kemi të bëjmë me një rrëzim të tij nga armët.
Kutitë e zeza të avionit janë gjetur, por një zyrtar Iranian thotë se ato janë të dëmtuara, por të dhënat mund të tërhiqen ende prej aty. Megjithatë Irani ka refuzuar t’iu dorëzojë ato autoriteteve ndërkombëtare.
Sipas një zyrtari të Transportit Iranian, një nga motorët e avionit shfaqi problem, gjë që e bëri pilotin të humbte kontrollin dhe të binte në tokë. Por mjeti ajror ishte pothuajse i ri pasi ishte prodhuar në vitin 2016 dhe kontrolli i fundit i ishte bërë dy ditë më parë.
Edhe kompania që prodhon motorët CFM shprehet se është shumë herët për të spekuluar se ishte problemi i motorit ai që shkaktoi tragjedinë ajrore.
Ambasada e Ukrainës në Teheran në fillim nxori një deklaratë ku flitej për një defekt teknik në motor, të cilën e tërhoqi më pas duke thënë se nuk do të nxirrte një koment zyrtar pa u bërë një hetim i plotë.
Videot e publikuara gjatë ditës shfaqën avionin të përfshirë nga flakët përpara se të rrëzohej në tokë duke iu marrë jetën 167 pasagjerëve dhe 9 anëtarëve të stafit.