Dritan Demiraj ishte në një marshim ditor në pyjet e Miçiganit në SHBA, në një trajnim special, kur i telefonojnë nga Tirana dhe Uashingtoni.
Prej dy vitesh kolonel Demiraj jetonte në Amerikë pas 32 vitesh në Forcat e Armatosura, posaçërisht në Forcat Speciale dhe regjimentin Komando, ku shërbeu atdheun brenda dhe jashtë në Afganistan e Irak në pozicione drejtuese duke merituar 42 medalje dhe dekorata të Larta, që nga Medalja Shqiponja e Artë tek dekorata Nderi i Kombit, për misionet luftarake dhe ngritjen e imazh të vendit.
Në SHBA, ushtarakët dhe gjeneralët i ndajnë në dy kategori: të parët janë ata që kanë pluhurin e shkretëtirës në këpucë dhe të dytët janë ata që i kanë lustruar në zyra.
Demiraj ka bërë 10 vite misione speciale në terrenet e Mosulit Helmand e Kandahar për llogari të luftës pa kompromis ndaj terrorit dhe terroristëve të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe trafikantët e heroinës.
I mësuar ti shërbejë vendin me gjithë zemër, mendje dhe profesionalizëm, Dritan Demiraj pranoi thirrjen shtetërore për të qenë në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe luftuar pa kompromis kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Imazhi i vendit, qeverisë shqiptare dhe posaçërisht Ministrisë së Brendshme ishte në nivele skandaloze në sytë e partnerëve për shkak tonelatave të kanabisit hapnin mediat evropiane dhe botërore, ndërsa qeveria dhe ministrat e Brendshëm zotoheshin se 99% të kanabisit nuk ekzistonte ose ishte asgjësuar.
Në këto kushte të vështira, aspak të lehta për çdo politikan karriere, u zgjodh një outsider jashtë politikës, me profilin e një komandanti që di të fitojë dhe të frymëzojë trupën që është në dispozicion. Nuk është e lehtë të punosh në një mjedis të kontaminuar nga krimi organizuar dhe politika që minojnë çdo sipërmarrje të shëndetshme. Por angazhimi dhe misioni është gjithçka.
Dritan Demiraj i ka dhënë Shqipërisë dhe kombit në planin ushtarak gjithçka që mund ti jepej në tre dekada: 28 libra, po aq doktrina, manuale dhe kumtesa në fushën e sigurisë dhe kundër terrorizmit vështirë se do të gjendeshin në Evropë. Shqipëria nuk e ka luksin të mos njohë shërbestarët me të fortë të saj.
Dritan Demiraj duhet të kuptojë që për të luftuar fenomenin negativ të trafiqeve, krimit organizuar dhe terrorizmit në kohë të turbëllta është e domosdoshme pasja e aleatëve me uniform dhe pa uniform, civilë me një ndjenjë të lartë të detyrës dhe respektit për vendin.