Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, prezantoi në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian progresraportin për Shqipërinë, ku theksoi se vendi ynë “ka vijuar të bëjë një progres të mirë duke marrë rezultate të dukshme”, por shtoi se “përpjekje të tjera duhen në çështjet kyçe për zbatimin e ligjit”.
“Shqipëria është vendi i dytë me të cilin ne hapëm kuadrin negociues këtë vit. Shqipëria ka vijuar të bëjë një progres të mirë duke marrë rezultate të dukshme. Reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut të cilët po vijojnë punën në mënyrë konstante janë shembull i progresit të mirë. Shqipëria ka treguar nivel të lartë përkushtimi për përforcimin e zbatimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përdori mandatin e saj në OKB për tju përgjigjur bashkë me aleatët agresionit rus në Ukrainë duke sjellë propozime. Përpjekje të tjera duhen në çështjet kyçe për zbatimin e ligjit duke përfshirë reformën në sistemin gjyqësor, lirinë e shprehjes, luftën kundër korrupsionit, të drejtës së pronës, çështjet e minoritetit dhe lirisë së medias”, tha Varhelyi.