Demokratët e Rithemelimit do të paraqesin një padi të dytë pranë Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me projektin e portit të Durrësit. Nënkryetari Oerd Bylykbashi, deklaroi se njëkohësisht do të depozitohet edhe një padi penale në SPAK, për të njëjtën çështje.
“Ne sot bëjmë me dije se PD ka përgatitur padinë e dytë për në Gjykatën Kushtetuese, me firmat e deputetëve të opozitës, për ta sfiduar sërish këtë çështje për shkeljet e rënda kushtetuese që janë bërë.
Gjithashtu do bëjmë kallëzim penal në SPAK për këtë aferë. Personat përgjegjës duke filluar nga kryeministri Edi Rama, duhet të mbajnë përgjegjësi për një veprim që qartazi, me një sekuencë po aq kriminale aktesh të miratuara nga qeveria, janë bërë aty për të veshur me një veshje juridike një marrëdhënie personale private korruptive mes Edi Ramës dhe një investitor privat arab.
Ne e goditëm në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duke vendosur një precedent jo në interesin e shqiptarëve, por në interesin e Edi Ramës, e rrëzoi duke pretenduar se padia ishte bërë jashtë afatit kur duhej paraqitur. Kjo padi e dytë që paraqesim në Gjykatë Kushtetuese, shkon më tej dhe më thellë, duke trajtuar ato aspekte të shkeljeve kushtetuese.
Dhe më pas ne gjithashtu ne kemi shkuar edhe më tej duke i shkruar letër Komisioneres për Konkurrueshmërisë në BE, për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila është përgjigjur se BE po e ndjek këtë çështje”, deklaroi Bylykbashi.