Bota Rusia kërkon të arrestojë kryeministren e Estonisë, e shpall në kërkim

Rusia kërkon të arrestojë kryeministren e Estonisë, e shpall në kërkim

Kryeministrja estoneze Kaja Kallas është shpallur person në kërkim nga Rusia. Agjencia e lajmeve Tass raporton se Ministria e Brendshme në Moskë e ka vendosur Kallas në listën e të kërkuarve pasi akuzohet për “veprime armiqësore kundër Rusisë dhe kundër kujtesës së saj historike”.

Në listën e të kërkuarve janë vendosur edhe Sekretari i Shtetit i Estonisë Taimar Peterkop dhe ministri i Kulturës i Lituanisë Simonas Kairys.

Një burim i sigurisë ruse, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS se të tre po ndiqen penalisht për “shkatërrimin e monumenteve të ushtarëve sovjetikë” të Luftës së Dytë Botërore.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Kallas dhe ligjvënësit e tjerë balltikë ishin shtuar në listën e personave në kërkim sipas kodit penal rus pasi kanë “përdhosur kujtesën historike”.

“Këta janë njerëz që ndërmarrin veprime armiqësore kundër kujtesës historike dhe vendit tonë”, u tha Peskov gazetarëve.

Kallas sakaq ka qenë një mbështetëse e zëshme e Ukrainës në betejën kundër Rusisë. Ajo ka qenë një nga zërat më të fortë në Bashkimin Evropian dhe në NATO në favor të dërgimit të më shumë armëve në Ukrainë.