Histori Projekti shqiptar i ADN/ Gjenetika e konfirmon: Shqiptarët e sotëm janë autoktonë...

Projekti shqiptar i ADN/ Gjenetika e konfirmon: Shqiptarët e sotëm janë autoktonë në Ballkan

Një betejë mes ilirëve dhe romakëve

Nga Gjergj Bojaxhi dhe Alban Lauka

Shqiptarët e sotëm të të gjitha linjave atërore, në tërësi, janë pasardhës i asaj popullsie të tkurrur me prejardhje kryesisht paleo-Ballkanike dhe trashëguese të një gjuhe të lashtë që u mbijetoi përmbysjeve të shekujve 3-7, sipas projektit shqiptar të ADN-së “Rrënjët” që ka mbledhur në mënyrë vullnetare rezultatet e 1322 anëtarëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Prej vitesh përparimi i teknologjisë së zbatuar biokompjuterike ka mundësuar shfrytëzimin e të dhënave gjenetike për studimin e historisë.

Një studim i mëparshëm thekson se shqiptarët janë populli më homogjen në Europë, dhe shumica vijnë nga paraardhës të përbashkët që përbënin një popullsi të vogël por kompakte para rreth 1500 vitesh.

Një përqindje e vogël e linjave atërore shqiptare janë të vendosura e të përhapura në Ballkan prej më shumë se 4500 vitesh.

Veçanërisht përmes analizës së kromozomit Y, i cili përçohet drejtpërdrejt nga babai te i biri, pa kontribut gjenetik nga nëna, çdo familje apo fis mund të gjurmohet prejardhja e vijës atërore, apo siç njihet botërisht, haplogrupit. Kurse mbledhja e një kampioni përfaqësues rezultatesh gjenetike mundëson edhe hulumtimin e prejardhjes në shkallë krahinore apo vendi.

Nga drejtpeshimi statistikor i 1322 rezultateve, del se rreth 10 haplogrupet më të shpeshta përmbledhin rreth 94.6% të gjithë linjave atërore shqiptare.

Afërsisht një e katërta e rezultateve u takojnë anëtarëve nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. Me rritjen e numrit të anëtarëve në këto treva, sidomos në Kosovë, përqindjet mund të pësojnë ndryshime të lehta, por duhet të mbesin brenda rrezeve të sigurisë 95%.

Përqindjet e secilit haplogrup në shqiptarët e të gjitha trevave.

Vala e fundit që ka lënë gjurmë të rëndësishme gjenetike prej të cilave vijnë 16-19% e linjave atërore shqiptare mbërriti para rreth 1200-1800 vitesh, gjatë periudhës së dyndjeve të fiseve gjermanike, sllave etj.

Historia e linjave atërore shqiptare

Përtej statistikave të përgjithshme, secili haplogrup ka historinë e tij dhe duhet studiuar në thellësi për të kuptuar kohën dhe mënyrën e vendosjen dhe përhapjes.

Para Epokës së Bronzit

Mendohet se njeriu modern mbërriti në Europë para më shumë se 30.000 vitesh. Ndër linjat atërore më të vjetra të gjetura në Europë deri në periudhën e Mesolitit janë haplogrupet C, I, F, më pas I1, I2-P37, I2-M223, I2-L596, R1b-V2219, etj.

Europianët e kësaj periudhe ishin popuj nomadë që merreshin kryesisht me gjueti, duke ndjekur gjahun nga një zone në tjetrën.

Edhe pse ka shqiptarë të cilët bartin disa prej linjave atërore të lartpërmendura, nuk mund të flitet për vazhdimësi gjenetike të tyre në popullin shqiptar sot, pasi pjesa dërrmuese e këtyre linjave kanë lëvizur nëpër Europë derisa kanë arritur të rishpërndahen, në shumicën e rasteve nga Europa veriore ose lindore, duke u vendosur në Ballkan relativisht vonë.

Përqindja e paraardhësve atërorë të shqiptarëve që kanë banuar vazhdimisht në Ballkan prej Mesolitit është nën 0.5%.

Prej 7000-9000 më parë, popuj që kishin përvetësuar bujqësinë në Levant filluan të përhapen drejt Ballkanit dhe Europës në përgjithësi. Kjo lëvizje është vënë re prej kohësh në arkeologji, por së fundi kemi mësuar edhe që linjat atërore që mbërritën në Europë gjatë kësaj kohe ishin kryesisht degëzime të haplgrupeve G, E, J1, J2, T, etj.

Përhapja e bujqësisë gjatë Neolitit përkon edhe me shkallën e afrisë gjenetike të linjave femërore të sotme me ato neolitike  nga Lindja e Mesme

Revolucioni bujqësor, brenda pak vitesh, ndërroi në mënyrë drastike përbërjen gjenetike të Europës Jugore dhe qendrore, duke zëvendësuar linjat atërore mesolitike me të ardhurat rishtazi nga lindja. Kështu, haplogrupi G është qartazi mbizotërues në gjithë gjetjet neolitike në studime shkencore në Ballkan, ndërsa haplogrupe të tjera të gjetura në Ballkan përfshinin degëzime të caktuara të J2a, J1, etj. Sot haplogrupin G e mbartin më pak se 2% e shqiptarëve, kurse linjat e tjera qartësisht neolitike gjenden edhe më rrallë.

Në Toskërinë veriore dhe lindore kjo përqindje është pak më e lartë por gjithsesi nuk kalon 5%. Duke marrë parasysh faktin se një pjesë e këtyre linjave mund të jenë vendosur edhe në periudha më të vona nga drejtime të ndryshme, mund të themi me siguri se më pak se 4% e gjithë paraardhësve atërorë të shqiptarëve gjendeshin ndër popujt neolitikë (pra, para-ilirë) të trojeve të sotshme shqiptare.

Nga Epoka e Bronzit deri në Antikitet

Pas disa mijëravjeçarëve zgjerimi të bujqësisë dhe linjave atërore të popujve që e shpërndanë, me fillimin e Epokës së Bronzit nisën edhe dyndjet masive të indo-europianëve. Në vendorigjinën e tyre në Stepat e Euroazisë, kjo popullsi me strukturë shoqërore patriarkale merrej kryesisht me bletori, dhe kishte përvetësuar edhe përdorimin e kuajve dhe më vonë edhe të karrocave, dhe kishin fituar imunitet të lartë ndaj sëmundjeve të kafshëve dhe tolerancë ndaj laktozës.

Jamnaja ishin grupi kryesor i indo-europianëve qe u përhap drejt Europës dhe Azisë qendrore e jugore.

Nga zona e Stepave, indo-europianët u përhapën në të gjitha drejtimet, duke u shtrirë në pak breza nga Europa perëndimore deri në Kinë e Indi. Grupet e mëdha gjuhësore të Europës së sotshme, si grupi i gjuhëve latine, i atyre gjermanike, sllave, keltët, ashtu si edhe shqipja e greqishtja, kanë rrënjë të përbashkët pikërisht nga gjuha që fliste ky popull. Mbërritja e indo-europianëve në Europën qendrore dhe në Ballkan është e mirëdokumentuar jo vetëm gjenetikisht, por edhe në arkeologji.

Ka shumë mundësi që zgjerimi drejt trojeve të sotshme shqiptare mos të ketë qenë një lëvizje e njëtrajtshme, por një seri zhvendosjesh që nisin nga Epoka e Bronzit e vijojnë deri në Antikitet, duke asimiluar e përfshirë edhe popuj të tjerë në këto dyndje.

Linjat atërore kryesore të shqiptarëve që janë vendosur në Ballkan prej kësaj periudhe nga veriu dhe verilindja janë R1b-PF7562, J2b-L283, E-V13, R1b-CTS9219, I2-L701, etj.

R1b-PF7562 dhe J2b-L283, në pjesën dërrmuese të tyre, janë vendosur në trojet e sotshme shqiptare prej Epokës së Bronzit.

Për prani mbi 3000 vjeçare flasin si gjetjet nga lashtësia, ashtu edhe diversiteti i linjave modern. J2b-L283 është gjetur edhe në eshtra ilire nga Epoka e Bronzit dhe e Hekurit në Dalmaci, Slloveni dhe Vojvodinë, nga Epoka e Hekurit ndër mesape të Puljas, dhe në Antikitetin e vonë në Moezi dhe Dardani.

Në përputhje me këto gjetje, në databazën e Projektit Rrënjët, vërehet se nëndegët e R1b-PF7562 ndër shqiptarët e sotshëm janë veçuar prej 3400-4000 vitesh, kurse ato të J2b-L283 prej 3100-3600 vitesh. Sot R1b-PF7562 gjendet në dendësi të ngjashme (3-4%) në gjithë trojet shqiptare, kurse J2b-L283 gjendet shumë më dendur në veri (15-30% sipas zonës) se në jug (7-10%). Këto dy linja atërore përmbledhin rreth 20% linjave atërore shqiptare.

Disa grupe indo-europiane u vendosën fillimisht në pellgun panonik, prej ku, pasi asimiluan popuj vendas, vijuan më në jug drejt Ballkanit perëndimor.

Për linjat atërore E-V13 dhe R1b-CTS9219, ka më shumë mundësi që vendosja në Ballkanin perëndimor ka nisur nga veriu, me gjasë nga zona mes Alpeve Europiane dhe Karpateve, duke filluar nga fundi i Epokës së Bronzit e përgjatë Epokës së Hekurit deri në Antikitet.

Gjetja e linjave të afërta në Ballkanin verior dhe në Hungari, dhe prania masive e vetë E-V13 në Moezi dhe në kufi të Dardanisë në periudhën e vonë romake dhe më rrallë në kulturat kelte të Europës qendrore, gjithashtu tregon se në trojet e sotshme shqiptare duhet të ketë mbërritur kryesisht nga veriu e veri-lindja.

R-CTS9219 gjendet e përhapur me dendësi të njëtrajtshme (14%) në trojet shqiptare, kurse E-V13 ka shumë nëndegë, secila me shpërndarjen e saj të veçantë. Si nëndegët e sotshme shqiptare të R-CTS9219, ashtu edhe ato të E-V13, kanë lidhje gjenetike rreth 2500-3500 vjeçare me linja atërore jashtë ballkanit, kryesisht në Europën qendrore. Pra vendosja e këtyre dy linjave në trojet e sotshme mund të hamendësohet rreth fundit të Epokës së Bronzit ose gjatë Epokës së Hekurit. Këto dy linja atërore përbëjnë rreth 40-45% të gjithë linjave atërore shqiptare.

Antikiteti i vonë dhe Mesjeta e hershme

Me dobësimin e Perandorisë Romake, fise të ndryshme nga Europa veriore e lindore filluan të depërtonin kufijtë perandorak, duke vërshuar rregullisht edhe drejt Ballkanit. Ndër dyndjet më të famshme mund të përmendim ato të gotëve, hunëve, vandalëve, avarëve, sllavëve, etj.

Elementi i lashtë ballkanik arriti t’u mbijetojë këtyre vërshimeve, por duke përthithur edhe prurje të reja, diku më rrallë e diku më dendur. Një studim i fundit mbi trashëgiminë gjenetike të ballkanasve të lashtë dhe dyndjeve sllave, vlerëson se shqiptarët dhe grekët u prekën nga këto lëvizje më pak se serbët, bullgarët, rumunët e kroatët.

Linjat atërore që u bashkuan në këtë periudhë me ata banorë të Ballkanit që u mbijetuan dyndjeve janë I1-M253, R1a-CTS1211 e R1a-M458, I2a-Y3120, N-P189.2, etj.

Të gjitha këto mungojnë në gjetjet e lashta deri në periudhën perandorake romake, dhe linjat moderne që gjenden ndër shqiptarë zakonisht lidhen me linja nga Europa veriore dhe lindore në rreth 1400-2000 vjet.

Etnogjeneza arbërore

Pas kalimit të trazirave nga rënia e Perandorisë Romake, dyndjeve të njëpasnjëshme barbare dhe epidemive të ndryshme, popujt e sotshëm të Ballkanit filluan të ravijëzohen gjatë Mesjetës së Hershme. Populli arbër, i cili del në dokumente nga shekulli i XI, arriti të ruajë një gjuhë që rridhte nga gjuhët e lashta të Ballkanit. Edhe në rrafshin gjenetik, vëmë re se shekujt e fundit të Antikitetit ishin periudhë e vështirë për paraardhësit tanë, pasi shumica e linjave tona kanë kaluar efektin bottleneck (rrallim i degëzimeve të linjës atërore) gjatë kësaj kohe.

Shënim: Informacion më të hollësishëm rreth secilit haplogrup mund të gjeni këtu: https://rrenjet.com/linjat-aterore/. Artikullin e plotë bashkë me lidhëset për studimet e cituara mund t’a gjeni këtu: https://rrenjet.com/prejardhja-gjenetike-e-shqiptareve/. Për pyetje apo ndonjë paqartësi, mund të kontaktoni një prej vullnetarëve të projektit përmes faqes në Facebook ose adresave të email-it që gjenden këtu: www.rrenjet.com/rreth-nesh.