Teksa reforma në drejtësi po hyn në fazën e saj vendimtare, ka reaguar dje prokurori amerikan dhe ish-agjenti i FBI, Gjon Juncaj.
Bëhet fjalë për një prokuror me origjinë shqiptare, i cili ka qëndruar për disa vite si ekspert i OPDAT në Tiranë.
Ai e mbylli mandatin dhe brenda pak ditësh do largohet, por para se të bëjë këtë u ka dërguar një mesazh politikanëve.
Duke folur në emisionin “31 minuta” në RTSH ai deklaroi se ka shumë politikanë që hiqen sikur e duan reformën, por punojnë kundër saj.
Ai e krahasoi reformën me një tren që ecën, duke thënë se kush hipën aty është në rregull, por kush i del para do shtypet. Po ashtu ai tha se do apo nuk do politika, reforma do bëhet.
Ju erdhët në Shqipëri pak më shumë se 3 vjet më parë, erdhët të jetonit bashkë me familjen në vendin tuaj të origjinës. Kur ishit ende në Amerikë çfarë përshtypjesh kishit krijuar për Shqipërinë?
Në fakt nuk ishte hera e parë që isha në Shqipëri. Isha në Shqipëri në vitin 2012 me disa miq për një kohë të shkurtër, plus me babin tim për të festuar 100 vjetorin e Shqipërisë. Familja ime nuk ishte me mua në këtë rast, në 2012, por si familje kemi përvoja të plota me shqiptarët në Amerikë, kështu që e prisnim një vend shumë të bukur patjetër dhe një mirëseardhje të ngrohtë siç e kemi përjetuar me shqiptarët në Amerikë.
A ndryshuat mendim për Shqipërinë pasi erdhët apo nuk kishit gabuar ne mendimet e para?
Kishim gabuar pak me përshtypjen tonë që kemi pasur. Shqipëria ishte më bukur se çfarë e kemi pritur dhe më mikpritëse se çfarë e kemi pritur. Do të tregoj një shembull shumë shkurt: Një javë mbasi kemi ardhur në Shqipëri vajtëm në Sarandë me familjen, u ambientuam pak, ishte në fund të gushtit. Shkuam në plazh plot me njerëz, e gjetëm vendin lirë, u afruam me disa shqiptarë që ishin aty para nesh.
Qëndruam aty për disa orë, nuk kemi biseduar me këtë familje ne si amerikanë, por flisnim shqip, por çuni im i vogël se kam tre çuna, në atë kohë ishte 2 vjeç e gjysmë ishte duke lojtar në rërë dhe fillon të këndojë “xhamadani vija vija”, kur ky njeriu që ishte këtu ngriti kokën, e kapi djalin dhe nisi ta puthë, ja dha gruas edhe ajo e puthte, kurse gruaja ime u shqetësua pak. I thash që ndoshta shqiptarët i duan fëmijët më shumë se çfarë ke menduar.
Po prindërit tuaj si shqiptar Shqipërie si e përjetuan faktin që t’i disa vite do të vije të jetoje këtu për të punuar?
Patjetër që janë krenuar që djali i tyre kaq arritur t’i përfaqësojë jashtë SHBA, për më tepër në Tiranë. Por ka diçka, është shumë e rëndë t’i ndash gjyshërit nga nipërit, kështu që gjysmë ishin me gëzim gjysmë nuk e kanë pritur mirë që do largohen prej nipërve, por i kemi kaluar.
Le t’i kthehemi asaj që ju bëtë në Shqipëri. Pse erdhët në Shqipëri? Pse e latë zyrën e Prokurorit Federal të Detroitit për të ardhur në Tiranë?
Për mua ishte një thirrje profesionale por më tepër personal, se ne me origjinë jemi nga Shqipëria, nga trojet shqiptare ne kemi përjetuar një identitet të ndryshëm nga ju që jeni lindur këtu. Ne kur na sillet rasti me u njoftua me vendin tonë e mirëpresim, dhe kështu edhe për mua ishte një thirrje e rëndësishme që e pranova menjëherë.
Ju jeni prokuror me profesion dhe mendoj që periudha në Shqipëri ka mjaftuar për të kuptuar vështirësitë e prokurorëve shqiptarë, llojin e punës që bëjnë këtu. Cila mendoni, është sipas jush, pengesa kryesore, vështirësia me të cilën ata përballen në punën e tyre?
Mendoj se ka shumë pengesa. Njëra është që Shqipëria është një vend i vogël. Është e vështirë të kryesh një hetim të madh dhe serioz sepse sekretet dalin dhe shqiptarët e njohin njëri-tjetrin kollaj në një vend kaq të vogël.
Po ashtu, është e vështirë të gjesh njerëz që janë gati të dalin dëshmitarë në një çështje, qofshin pjesë e veprimtarisë kriminale, apo thjesht persona që kanë qenë dëshmitarë. Por mendoj se problemi kryesor është që ka shumë njerëz të fuqishëm në Shqipëri që kanë mënyra të ndryshme për të ushtruar presion mbi prokurorët.
Më lejo të them këtë: Duhet të njohim sukseset që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka demonstruar, të paktën në kohën që kam qenë këtu dhe ato që kam parë me sytë e mi.
Brenda dy vitesh kemi një anëtare të Gjykatës së Lartë dhe të shoqin e saj që u dënua për korrupsion. Ishte me rëndësi që u bllokua ryshfeti prej 50 mijë eurosh që ishin dhënë në atë rast.
Kohët e fundit, kishim një gjyqtar të Apelit që për herë të parë u dënua për korrupsion, 30 mijë euro ryshfet në atë rast. Dhe çka është më me rëndësi për tu mbajtur mend në këtë rast është dënimi, por edhe që për herë të parë një prokuror me prova shkoi tek gjykatësi dhe kërkoi mandat për kontroll për të shkuar në shtëpinë e gjykatësit dhe për të kërkuar para të thata, para ryshfetesh.
Dhe ajo që u zbulua nuk ishin 20 mijë euro, por thuajse 200 mijë euro para të thata, të cilat ishin në shtëpi. Gjyqtari duhet të shpjegojë se nga erdhën këto para. Po ashtu, janë 3 gjyqtarë që janë çuar në gjykatë kohët e fundit nga Gjykata e Apelit Durrës, të cilët në mënyrë të pabesueshme akuzohen se kanë pranuar udhëtime jashtë vendit për të ndjekur ndeshje futbolli. Gjyqtarët janë pezulluar.
Kemi parë lëvizje në çështje të krimit të organizuar, si dënimi i Shullazit, i cili është me rëndësi dhe të tjerë persona të rrezikshëm po hetohen. Por ç’është më e rëndësishme, ajo që do që të shohë populli shqiptar, është që kur ka indicie për veprimtari kriminale në nivelet më të larta të qeverisë që prokurorët do të hetojnë.
Dimë që ka hetime në vazhdim ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Është me rëndësi jo thjesht që po hetohen, por edhe që do të jenë hetime të plota, që do të zbulojnë të gjithë provat, të cilat janë apo nuk janë aty. Por që do ta bëjnë seriozisht dhe kjo është ajo që pret populli shqiptar.
-A mendoni se prokurorët kanë arsimin e duhur profesional për të vazhduar hetimet për krimet apo rastet e korrupsionit?
Po. Gjeta që prokurorët janë shumë të aftë. Shkolla e Magjistraturës bën një punë të mirë për të përgatitur prokurorë dhe gjyqtarë, marrin arsimin për ligjin, praktikojnë për një vit përpara se të bëhen prokurorë dhe gjyqtarë. Ka qenë një privilegj i madh për mua që kam dhënë lëndën e Etikës aty për dy vitet e fundit me prokurorë dhe gjyqtarë.
Etika është shumë e rëndësishme sepse prokuroria dhe i gjithë sistemi i gjykatave si i tërë vuajnë për shkak të rënies së reputacionit. E gjitha fillon me etikën dhe integritetin e prokurorëve dhe ajo që them në klasën time është: Gjëja më e rëndësishme që mund të ruani është integriteti juaj personal dhe kjo sjell përfitime për të gjithë sistemin sepse janë të gjithë gurët të sistemit të drejtësisë ku bëjnë pjesë.
-Cilat janë dallimet sipas jush mes prokurorëve amerikanë dhe prokurorëve shqiptarë jo thjesht në arsimim, por në qëndrimin për të hetuar korrupsionin sepse është shumë i përhapur në Shqipëri?
Një prokuror amerikan si unë, nëse e kam seriozisht punën time, nuk më ndalon asgjë për të marrë një çështje dhe hetim dhe të gjejë cilindo që është përgjegjës në atë çështje, nëse do deri në majë. Në Amerikë si prokuror, unë shpërblehem për këtë. Karriera ime bën shumë përpara. Mendoj se një prokuror shqiptar nuk gëzon të njëjtën siguri lidhur me karrierën e vet nëse e bëjnë këtë.
Të jemi të qartë për diçka: Ka prokurorë të mirë në Shqipëri të cilët kanë qenë në situata të këqija dhe ka dhe prokurorë dhe gjyqtarë të këqij në Shqipëri, që nuk meritojnë të përfaqësojnë më popullin shqiptar. Mendoj se në një mënyrë a në një tjetër, do të gjejnë rrugën e largimit.
Por mendoj se shqiptarët shpejt duhet të presin dhe prokurorët shqiptarë duhet të presin që të jenë në një sistem që ka mbrojtje më të mirë nga problemi real në Shqipëri. Kjo është politika. Për dekada me radhë politika e ka njollosur sistemin e drejtësisë dhe mendoj se kjo do të ndryshojë.
A mendoni se paketa e reformës në drejtësi do të funksionojë, do të zbatohet? Ka prekur në publik jetën e shumë personave, mënyra se si u miratua në Parlament, se si sistemi filloj të funksionojë hap pas hapi. Institucionet e reja që presin të ndërtohen nga kjo paketë. Kështu që a mendoni se në fund të fundit do të kemi zbatim të plotë të reformës në drejtësi?
Po ashtu mendoj. Ka shumë njerëz që janë përgjegjës për këtë. Mendoj se nëse politikanët dhe politika duan që reforma në drejtësi të dalë me suksese, do të këtë suksese. Dhe nga ana tjetër mendoj se të gjithë jemi në një mendje se reforma në drejtësi është rruga më e mirë përpara.
Po ashtu, mendoj se nëse politikanët duan që reforma në drejtësi të ketë sukses, më lejoni që të jem i qartë për këtë: Ajo prapë do të ketë sukses. Sepse populli shqiptar e mbështet, Shtetet e Bashkuar të Amerikës e mbështesin, komuniteti ndërkombëtar e mbështet. Në këtë kontekst, unë reformën në drejtësi e shoh si një tren që po lëviz përpara dhe ose do të jesh në tren ose do të jesh në shina përpara trenit. Por në finale lëvizja është përpara.
Cilat janë pengesat për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit?
Sigurisht që duhet të mbajmë parasysh se Struktura e Posaçme Antikorrupsion, Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme përparësia kryesore e këtyre institucioneve jetike është që t’i kundërvihen korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelin e lartë dhe krimin e organizuar.
Dhe të gjithë ata persona që do të preken do të bëjnë gjithçka që munden për ta penguar përparimin e reformës, përfshi këtu edhe njerëz që janë duke e mbështetur publikisht, por që në prapaskenë kanë plane të tjera.
Megjithatë, jam i bindur se prapëseprapë reforma në drejtësi do të ecë përpara. Ai tren tashmë ecën përpara. Mund t’iu them dhe garantoj se Shtetet e Bashkuar të Amerikës do të mbeten të përkushtuara ndaj atij misioni, që është përmbyllja me sukses e reformës në drejtësi.
Ambasada e SHBA-së nuk u largua bashkë me ambasadorin Donald Lu. Ky është një prioritet i Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Ne do të trajnojmë, këshillojmë dhe do të mbështesim, madje edhe do të vëzhgojmë gjatë gjithë rrugës lidhur me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Ju i njihni disa nga prokurorët shqiptarë gjatë kohës që po qëndroni këtu. Ata po iu shohin tani. A keni një mesazh për ta?
Po kam. Ka qenë privilegj për mua që kam kaluar kohë me ta. Së pari dua të them se kam qenë gjithmonë i mirëpritur, që nga koha e ish-kryeprokurorit e deri më tani. Mesazhi që kam për ta është ky: Koha dhe sidomos për prokurorët e mirë, ata që duan të bëjnë gjënë e duhur, mendoj se koha e tyre po vjen.
Do të kenë mundësinë të jenë grupi tjetër i heronjve të këtij vendi. Mendoj se kanë kaluar, madje do ishte e drejtë të thuhej 100 vjet, një shekull që të vjen mundësi që të dalin përpara heronj të rinj dhe që do ta çojnë Shqipërinë përpara në drejtimin e duhur. Kështu që kjo kohë duhet të jetë tani dhe këta prokurorë dhe gjyqtarë duhet të ngrihen dhe ofrojnë veten.
Kam një kërkesë specifike për prokurorët që po mendojnë të aplikojnë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Nëse jeni ai lloj personi që është i interesuar për t’i shërbyer vendit dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj, atëherë ngrihu, bëj përpara dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës, komuniteti ndërkombëtar dhe çfarë është më e rëndësishmja populli shqiptar do t’iu mbështesë.