Kryesore SHBA, ndërron jetë kongresmeni më jetëgjatë në histori

SHBA, ndërron jetë kongresmeni më jetëgjatë në histori

Kongresmeni më jetëgjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare, të enjten në shtëpinë e tij në Dearborn të Michiganit.

“Ai ishte luani i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, si dhe një djalë, baba, burrë, gjysh dhe mik i dashur”, e përshkroi zyra e bashkëshortes së tij, Debbie Dingell, teksa njoftoi ndarjen nga jeta.

Demokrati nga Michigani ishte forca udhëheqëse që fshihet pas shumë prej ligjeve më të rëndësishme liberale, mbi të gjitha ato të programeve shëndetësore.

Dingell u zgjodh për herë të parë në vitin 1955, për të shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve për plot 59 vite me radhë, e për t’u tërhequr në vitin 2015.

Edhe pasi doli nga Kongresi, ai ndoqi me interes të gjitha kthesat në politikën amerikane, shpesh duke shfrytëzuar “Twitter”-in për të shprehur pikëpamjen e tij për çështje madhore. Më i fundit i “cicërimave” ishte një ditë përpara vdekjes së tij, teksa shkruante: Ende s’keni mbaruar punë me mua!

“Me dhimbje të thellë njoftojmë ikjen nga jeta të John David Dingell Jr., ish-kongresmenin e Michiganit dhe anëtarin më jetëgjatë të Kongresit amerikan”, shkruante zyra e Debbie Dingell, e cila u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2015 për ta pasuar atë, e që i qëndroi në krah deri në momentet e fundit të jetës.

Dingell ishte 29 vjeç kur mori postin special për të pasuar të atin e tij, i cili kishte vdekur papritur në vitin 1955. Ish-presidenti Barack Obama e përshkroi atë si një nga ligjvënësit me më shumë ndikim të të gjitha kohërave.

Dingell shërbeu përgjatë mandateve të 11 presidentëve amerikanë.