Aktualitet Prokuroria e Fierit kërkon konfiskimin e pasurive me vlerë 800 mijë Euro...

Prokuroria e Fierit kërkon konfiskimin e pasurive me vlerë 800 mijë Euro të Arben Gropës

Prokuroria e Fierit kërkon konfiskimin e pasurive të Arben Gropës, që njihet edhe me emrin tjetër Vangjel Zijaj, i cili është i dënuar me 29 vite burg nga autoritetet italiane për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.

Organi i akuzës kërkon që çdo pasuri e të pandehurit që korrespondon me akuzën e pastrimit të parave, të kalojë në favor të shtetit. Prokuroria thotë se kjo pasuri e Arben Gropës llogaritet në 800 mijë Euro.

“Me vendimin nr.103 datë 10.03.2022, pranohen konkluzionet e prokurorit dhe Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur përfundimisht:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Vangjel Zijaj (Arben Gropa) për kryerjen e veprës penale  te “Pastrimi i produkteve te veprës penale, ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287/1, gërmat “a” dhe “d” i K.Penal dhe dënimin e tij me 05 vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Romerto Gropa, (Kristian Gropa) për kryerjen e veprës penale  te “Pastrimi i produkteve te veprës penale, ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287/1, gërma “d” e K.Penal dhe dënimin e tij me 03 vite 04 muaj burgim.

Në aplikim të nenit 36 të K.Penal, pika 1 gërma “ç” dhe nenit 190 pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale, lidhur me produktin e tjetërsuar të veprës penale objekt ndërtesë 6 kate+shtesë një kati në pronësinë e Vangjel Zijaj (Arben Gropa), të kryhet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit te çdo pasuri tjetër të të pandehurit Vangjel Zijaj (Arben Gropa), vlera e së cilës i korrespondon asaj të produktit të veprës penale, objektit ndërtimor të tjetërsuar, i vlerësuar sipas aktit të ekspertimit vlerësues të sipërcituar.

Në aplikim të nenit 36 të K.Penal, pika 1 gërma “b” dhe nenit 190 pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale, të kryhet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i automjetit të të pandehurit Vangjel Zijaj (Arben Gropa).

Në aplikim të nenit 36 të K.Penal, pika 1 gërma “b” dhe nenit 190 pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale, të kryhet konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i pasurisë i llojit Njësi me sip.147 m², i shtetasit Romerto Gropa”.

Romerto Gropa (Kristjan Gropa) është dënuar nga Gjykata e Apelit të Brukselit për veprën penale të prostitucionit.

Lidhur me pasurinë e konfiskuar rezulton se Vangjel Zijaj (Arben Gropa) ka ndërtuar një objekt 6 katësh+shtesë e një kati në proces legalizimi në qytetin e Fierit, ku apartamentet janë tjetërsuar nga i pandehuri në formën e kontratave të shitblerjes tek persona të tretë pas vitit 2002, pikërisht pas kryerjes së veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit nga organizata kriminale në shtetin italian për të cilat është dënuar.

Duke qenë se kjo pasuri konsiderohet produkt i veprës penale dhe nuk justifikohet me ndonjë pasuri tjetër të ligjshme të të pandehurit dhe familjarëve të tij, në përfundim të gjykimit është kërkuar konfiskimi i vlerës ekuivalente të kësaj pasurie ne pasuri të tjera të ligjshme të të pandehurit.