Qeveria britanike dërgoi planin e ri për Brexit në Bruksel. Kryeministri, Boris Johnson paralajmëroi se nëse Bashkimi Europian nuk pranon propozimet e tij, atëherë nuk ka asnjë dyshim që alternativa e vetme është largimi pa ujdi.
Duke folur në konferencën e Partisë Konservatore në Mançester, ai tha se shpreson që plani i tij të kuptohet nga Bashkimi Europian dhe në këmbim të arrihet një kompromis.
“Le ta përfundojmë procesin Brexit për miliona qytetarë që kanë votuar për të qëndruar por që kanë pranuar në mënyrë demokratike rezultatin e referendumit dhe dëshirojnë të ecin përpara”, deklaroi kryeministri anglez.
Komisioni Europian reagoi menjëherë duke nënvizuar se do t’i shqyrtojë me shumë kujdes dhe paanshmëri propozimet e reja. Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Europian, deklaroi se BE po punon për një marrëveshje, “dhe sigurisht ajo duhet të jetë shumë e mirë”.
Gjatë adresimit të tij, Johnson siguroi se në planin e ri për Brexit nuk do të ketë kontrolle të ashpra kufitare mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Britania e Madhe do të largohet nga BE më 31 tetor. Qeveria kundërshton thirrjet për një shtyrje tjetër të kësaj date, duke thënë se do të ishte e panevojshme dhe e kushtueshme për vendin.
Megjithatë, një ligj i kaluar në Parlament, e detyron kryeministrin Johnson të kërkojnë një tjetër shtyrje nëse ligjvënësit nuk aprovojnë ujdinë për Brexit deri më 19 tetor, dy ditë pas samitit të liderëve europianë.