Policia e Tiranës ka kryer një operacion kundër shfrytëzimit të prostitucionit në kryeqytet. Edhe në këtë rast, aktiviteti i paligjshëm në vendin tonë ushtrohej nën maskën e disa qendrave masazhesh, ku përtej aktivitetit për të cilin ishin ligjërisht të licensuar, ofronin edhe shërbime “ekstra”.
Dhe pikërisht “Extra Service” kishte emrin operacioni që çoi në arrestimin në Tiranë e dy vëllezërve M.R dhe A.R, 26 dhe 29 vjeç, administratorë të dy qendrave, si dhe në procedimin penal për “prostitucion” dhe “moskallëzim” për 6 shtetase që kryenin shërbimet kundrejt pagesës.
Sipas hetuesve, pasi rekrutonin paraprakisht dhe punësonin vajzat e reja, disa madje edhe të mitura, vëllezërit e arrestuar detyronin punonjëset që përveç masazhit t’u ofronin klientëve edhe shërbime seksuale. Në përfundim klientët bënin pagesën dhe përfitimet ndaheshin ndërmjet administratorëve të këtyre qendrave dhe punonjëseve që kryenin këto shërbime.
Ndërkohë, forcat e rendit vijojnë hetimet për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë veprimtari kriminale si dhe për identifikimin e klientëve që kanë përfituar shërbime seksuale në këto qendra masazhi.