Aktualitet Protesta e 16 shkurtit, Policia e Shtetit del me apel të fortë

Protesta e 16 shkurtit, Policia e Shtetit del me apel të fortë

Pak ditë para protestës së opozitës në 16 shkurt, Policia e Shtetit del me një apel të fortë drejtuar politikës.

Policia e Shtetit u bën apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike.

Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.

Duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta.

Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë.