Opozita do të protestojë sot në orën 18:00 para Kryeministrisë, në të tretin tubim masiv poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku do të kërkohet qeveria tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme.
Kjo protestë duke qenë se do të zhvillohet pasdite, ka krijuar idenë se mund të zgjasë në kohë, ndoshta edhe me një rrethim 24 orë të Kryeministrisë, ndërkohë që ka alarmuar edhe ndërkombëtarët.
Për protestën ka reaguar ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz, e cila ka bërë thirrje që tubimi të jetë “paqësor, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe”.
Thirrjet për shmangien e dhunës kanë karakterizuar qëndrimin e BE, trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Tiranë që kanë vënë në dukje njëzëri të drejtën themelore të protestës në demokraci, por pa ushtruar asnjë akt dhune dhe shkatërrimi.
Për të shmangur aktet e mundshme të dhunës në protestën, janë angazhuar rreth 1300 efektivë të policisë së shtetit, të përqendruar në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë, ku në 2 protestat e mëparshme protestuesit kryen akte dhune dhe shkatërrimi.