Sport Juventusi do të blejë Joao Felix me paratë e shitjes së Dybala

Juventusi do të blejë Joao Felix me paratë e shitjes së Dybala

Joao Felix është emri i momentit, pas “hat-trick” në “Europa League”. Talenti që posedon e ka “shenjtëruar” atë në botën e futbollit si një nga yjet në rritje. Xhevahiri 19-vjeçar i Benfica po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm dhe është e qartë se në verë do të ketë radhë të klubeve të mëdha europiane për ta marrë atë.

Mes tyre është, sigurisht, Juventusi, i cili, sipas “Tuttosport”, synon të provojë seriozisht në këtë pistë, pasi e ka vëzhguar me kujdes Joao Felix në muajt e fundit. Menaxheri i tij është Jorge Mendes, që mbron edhe të drejtat e Cristiano Ronaldos, i cili në vetvete përfaqëson një avantazh për bardhezinjtë në negociatat eventuale me Benfica.

Ishte Jorge Mendes, ai që veproi si ndërmjetës për takimet mes Paratici dhe presidentit të Benfica, Luis Felipe Vieira, me të cilin thuhet se është arritur një marrëveshje paraprake për të qenë të favorizuar në negociatat për Joao Felix dhe Ruben Dias.

Ky i fundit është më shumë thashethem merkatoje, sepse në të vërtetë Juventusi ka qëllim madhor Joao Felix. Klauzola e talentit portugez është 120 milionë euro dhe vështirë që Benfica t’i ulë kërkesat e saj në më pak se 100 milionë.

Sa për Juventusin, shumë do të varet nga e ardhmja e Paulo Dybala. Nëse argjentinasi do të largohet nga Torino, me siguri do ta bëjë këtë për një numër treshifror. Dhe pastaj, sulmi ndaj Joao Felix mund të fillojë me të vërtetë me paratë e siguruara nga shitja e argjentinasit.