Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe Prokuroria, në një deklaratë të përbashkët për mediat njoftuan procedimin në gjendje të lirë të 10 deputetëve dhe arrestimin e 6 personave, pas protestës së opozitës të zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit.
10 deputetë procedohen në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë.
Mes deputetëve të proceduar është edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e cila sulmoi me këpucë kryeministrin dhe kreun e Kuvendit. Po ashtu u procedua edhe deputetja tjetër e LSI, Floida Kërpaçi.
Deputetët akuzohen nga policia për prishje të rendit dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
Ndërkohë, 6 qytetarë janë arrestuar për trazirat e shkaktuara në protestën e thërritur nga opozita para godinës së Kuvendit, ndërsa dy të tjerë do të procedohen në gjendje të lirë.
Kështu, në vijim të veprimeve për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e personave që kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë gjatë protestës së opozitës, autoritetet kanë arrestuar Renato Xhihanin, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë; Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë; Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë); Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.
“Arrestimi u bë pasi gjatë protestës së djeshme, zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, personat e sipërcituar në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës”, sqaron policia në njoftimin e saj.
Në gjendje të janë proceduar E.M, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe S.L., 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, pasi sipas policisë, gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit.
Policia e Tiranës sqaron se si pasojë e veprimeve të dhunës nga personat e mësipërm, morën dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor.