Ndryshe nga sa pretendohet nga krerët e dy partive më të mëdha opozitare në vend, për ish ministrin Mustafaj, rezultatet e protestës që opozita ka parashikuar për t’u zhvilluar më 27 janar, do të jenë minimale. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Mustafaj tha se sipas tij, në situatën politike në vend vërehen dy probleme, një që lidhet me kryeministrin Rama, dhe tjetri me kryedemokratin Basha. Sipas tij, Basha po krijon një pritshmëri të parealizueshme e ndërsa Rama nuk pranon t’i lexojë arsyet e një situate të tillë.
“Unë jam një nga ata njerëz që besoj se nga protesta ka vetëm të mira. Protesta në një shoqëri të lirë dhe demokratike është një presion i madh ndaj mazhorancës, për ti përmirësuar gjërat.
Për situatën në vend, unë shoh dy probleme. Së pari Basha po krijon një pritshmëri të parealizueshme. Po i thotë qytetarëve në takime se me këtë protestë do ta çmontojmë qeverinë Rama. Por kjo është e parealizueshme. Së dyti, problemi është shumë i madh edhe tek kryeministri Rama dhe grupi i tij. Ai nuk pranon t’i lexojë arsyet e një situate të tillë. Rezultatet e protestës do të jenë minimale”, tha Besnik Mustafaj.
Ai shtoi se vetëm një strukturë që do të përfaqësojë interesat e masës së pakënaqur, dhe jo thjesht militantëve partiakë, mund të sjellë ndryshim.
“Nëse do të kishte një strukturë të rregullt që të përfaqësojë interesat e masës së pakënaqur, atëherë situata do të ishte ndryshe. Por me partitë tradicionale në vendin tonë, diçka e tillë nuk është e mundur. Lidershipi i PD sot është me imazh të dëmtuar. Për të krijuar besim më shumë te njerëzit e zhgënjyer, sesa tek militantët e partisë, duhet të ketë një qëndrim ndryshe nga ana e opozitës”, u shpreh Mustafaj.