Pasi u mblodhën fillimisht para godinës së Kryeministrisë, studentët e kanë zhvendosur protestën drejt ambasadës amerikane.
Ata shprehen se marshimi i tyre bëhet në mënyrë simbolike dhe se më tej do të rikthehen sërish te Kryeministria. “Ne jemi këtu për ti bërë thirrje ambasadës amerikane se ka ardhur koha për ti dhënë një dritë të re shqiptarëve dhe Shqipërisë”, tha një prej studentëve.
Të rinjtë kërkuan mbështetjen e ambasadës së SHBA, ndaj kauzës së tyre studentore.
Studentët hodhën tymuese gjatë marshimit drejt ambasadës, ku qëndruan afro gjysmë ore. Të rinjtë thonë se nuk do ti ndalin protestat dhe se nuk u mjafton vendimi i Këshillit të Ministrave, duke kërkuar votim në Kuvend të kërkesave të tyre.
Ata thonë se vendimi i Këshillit të Ministrave vlen vetëm për këtë vit, ndaj dhe nuk kanë siguri.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama i ftoi të gjithë studentët të mos dizinformohen dhe të mos paguajnë më shumë se 50% të shumës së tarifave të vendosura me VKM nga Këshilli i Ministrave.