Kjo fundjavë shënoi protestat më të dhunshme në Romë kundër certifikatës së gjelbër. Qindra protestues, përfshirë edhe grupet neo-fashiste, u përleshën me policinë në sheshet kryesore të kryeqytetit italian, për të kundërshtuar kufizimet e theksuara në përditshmëri që u krijon ky dokument atyre që nuk duan të vaksinohen.
Protestuesit tentuan të hynin në zyrën e kryeministrit Mario Dragi, por nuk u lejuan nga policia që përdori edhe gazin lotsjellës për të larguar turmat.
Dragi kritikoi ashpër protestat e dhunshme pranë zyrave të tij dhe tha se asgjë nuk do ta ndalë fushatën e vaksinimit masiv, për të mbrojtur vendin nga COVID-19. Nga 15 Tetori, në të gjithë vendet e punës në sektorin publik e privat, certifikata e gjelbër bëhet e detyrueshme.
Kush nuk vaksinohet duhet të paraqesë të paktën 1 herë në javë një tampon negativ, të kryer me kostot e veta. Ndërsa ditët e karantinës nuk paguhen. Kjo për punonjësit e pavaksinuar do të thotë “të paguash për të punuar” dhe shkelje e lirive themelore të njeriut.