Aktualitet Protesta tek Teatri, arrestohen 7 persona, policia: U lënduan 7 efektivë

Protesta tek Teatri, arrestohen 7 persona, policia: U lënduan 7 efektivë

Shtatë persona u vunë në pranga nga policia dhe 64 të tjerë u shoqëruan pas përplasjes së një ditë më parë tek Teatri Kombëtar. Përmes një njoftimi zyrtar policia e shtetit lajmëron se, ‘gjatë kryerjes së detyrës, forcat e Policisë janë kundërshtuar me dhunë nga persona që ishin grumbulluar për të mos lejuar prishjen e godinës’.

“Disa persona nga radhët e tubuesve kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta dhe shkopinj, duke lënduar 7 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së posaçme “Shqiponja”. Ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Traumës dhe spitalin “Nënë Tereza” dhe janë jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personat e arrestuar për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, janë shtetasit me inicialet B. A., 38 vjeç; K. Q., 37 vjeç; S. N., 35 vjeç; R. L., 35 vjeç; E. M., 33 vjeç, B. T., 30 vjeç; E. Xh., 33 vjeç.

Gjithashtu, sipas bluve të Tiranës, për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u mor masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave të veçanta kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.