Të paktën 10 persona u vranë gjatë natës, në protestat antiqeveritare që kanë përfshirë Iranin që prej ditës së enjte, duke e çuar në 12 numrin total të viktimave.
Televizioni shtetëror bëri të ditur se viktimat ishin shënuar në qytete të ndryshme. Trazirat vazhdojnë pavarësisht thirrjes për qetësi të presidentit Hassan Rouhani.
Në ndërhyrjen e tij të pare, lideri i shtetit mysliman paralajmëroi se dhuna nuk do të tolerohej. Pavarësisht se pranoi problemet ekonomike, mungesën e transparencës dhe korrupsionit, Rouhani e mbrojti punën e tij. Ai tha se qytetaret ishin të lirë të shprehnin kritikat ndaj qeverisë apo të zhvillonin protesta që do të çonin në përmirësimin e kushteve në vend, por paralajmëroi kundër akteve të dhunshme.
E megjithatë dhuna nuk u ndal e vazhdoi përgjatë gjithë natës. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e protestuesve në sheshin Engheleb në Teheran. Përleshje pati edhe në Kermanshah, Khorramabad dhe Zanjan. Trazirat që shpërthyen të enjten në qytetin e dytë më të madh të Iranit, Mashhad, përfaqesojnë shfaqjen më të madhe të pakënaqësisë që prej manifestimeve të mëdha të lëvizjes së gjelbër që u shtyp brutalisht në 2009-n.