Të shtunën e 13 prillit, në të njëjtën orë si në Tiranë u mbajtën dy protesta të tjera edhe në Serbi dhe Mal të Zi.
Për të 14 javë rresht, qytetarët dolën në rrugët e Beogradit duke kërkuar largimin e presidentit Aleksandër Vuçiç.
Ashtu si në Tiranë, edhe në Beograd, protestuesit rrëzuan gardhin e hekurt, që kish rrethuar “Sheshin e Republikës”. Pas situatës së rënduar politike në vend dhe zemërimit popullor, presidenti Vuçiç ka pranuar te zhvilloje zgjedhje të parakohshme, edhe pse ende nuk ka një datë zyrtare.
Edhe në Podgoricë, për të disatën javë rresht, me mijëra protestues marshuan në rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Milo Gjukanoviç, duke e akuzuar atë dhe partinë e tij në pushtet për afera korruptive të nivelit të lartë, blerje votash dhe pastrim parash.
Në akuzë janë prokurori i lartë i shtetit dhe ai i krimeve të organizuara që mendohet se kanë shpërfillur provat e paraqitura. Nga ana e tij Gjukanovic ka mohuar akuzat.