Protestat e udhëhequra nga studentët në Iran mund të përbëjnë rrezik më të madh për autoritetet sesa protestat kombëtare të nëntorit të vitit të kaluar, përmes së cilave është kundërshtuar rritja e çmimeve të naftës.
Në këto protesta situata ishte përshkallëzuar, meqë janë vrarë qindra persona, duke shënuar kështu përgjigjen më të përgjakshme në historinë 40-vjeçare të regjimit, që është themeluar më 1979 gjatë Revolucionit Islamik, kanë thënë analistët.
Irani është goditur për muaj nga një varg protestash kundër qeverisë, të nxitura nga menaxhimi i dobët dhe vështirësitë financiare, në të cilat janë vrarë apo burgosur protestuesit.
Trazirat e brendshme kanë qetësuar tensionet e ngritura si pasojë e vrasjes së gjeneralit ushtarak, Qasem Soleimani nga Shtetet e Bashkuara përmes një droni në Bagdad më 3 janar.
Zemërimi për vrasjen e gjeneralit të famshëm, njëherësh një prej figurave më të fuqishme në këtë shtet, shumë shpejt ka bashkuar iranianët.
Mirëpo një valë e re e protestave kundër qeverisë, këtë herë e udhëhequr nga të rinjtë e zemëruar, ka shpërthyer pas lajmeve se ushtria iraniane ka rrëzuar një aeroplan të një linje ajrore ukrainase duke lënë të vdekur 176 persona më 8 janar.
Autoritetet iraniane janë akuzuar për tentim të fshehjes së këtij incidenti, pasi fillimisht kanë mohuar përfshirjen në këtë fatkeqësi.
Tri ditë më vonë, ata kanë thënë se një gabim njerëzor ka shkaktuar rrëzimin e aeroplanit, çka ka nxitur reagime ndërkombëtare.
“Teksa ka çështje të llogaridhënies të lidhura me këto aspekte ekonomike, fshehja e rrëzimit të aeroplanit ukrainas ngrit dilemat nëse iranianët mund t’i besojnë regjimit, qoftë edhe liderit suprem kur është në pyetje jeta apo vdekja?”, ka thënë Scott Lucas, ekspert për Iranin në Universitetin Birmingham dhe redaktor në faqen, EA World View.
“Vdekje diktatorit”
Protestat e studentëve kanë nisur në mbrëmjen e 11 janarit, pas përkujtimit të viktimave të rrëzimit të aeroplanit. Në mesin e pasagjerëve kanë qenë shumë iranianë të rinj, të cilët ishin nisur në Kanada, përmes Ukrainës, për të studiuar.
Mirëpo kjo ceremoni në njërin prej universiteteve të Iranit është kthyer shpejt në protestë, pasi iranianët kanë dalë nëpër rrugët dhe sheshet e Teheranit.
Protestuesit kanë bërtitur “Vdekje gënjeshtarëve”, “Ju nuk keni turp” dhe “Vdekje diktatorit”, duke iu referuar liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Në disa fotografi janë parë disa protestues duke shqyer fotografitë e Soleimanit.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale janë parë forca të sigurisë dhe zyrtarë policorë duke hedhur gaz lotësjellës, plumba gome dhe kanë shtënë me armë zjarri për të shpërndarë protestuesit në Teheran.
Më 12 janar, pakënaqësitë janë zgjeruar përtej kryeqytetit, duke përfshirë dhjetëra qytete të Iranit.
Protestat kundër-qeverisë kanë vazhduar për të tretën ditë me radhë më 13 janar. Protestat janë zhvilluar në Universitetin Sharif në Teheran dhe Universitetin, Amir Kabir.
Shefi i policisë së Teheranit ka mohuar që zyrtarët tjerë policorë kanë shtënë me armë zjarri, duke thënë se atyre u është dhënë urdhër që të tregojnë “përmbajtje”.
Pamjet në rrjetet sociale kanë shfaqur protestues dhe rrugë të gjakosura. Dëshmitarët kanë pretenduar se dhjetëra protestues janë plagosur.
Autoritetet iraniane janë duke u përballur me kritika të ashpra nga të dyja palët e ndara të Iranit. Edhe pjesëtarët e linjës së ashpër kanë kritikuar qeverinë për mënyrën si ka menaxhuar fatkeqësinë, duke akuzuar autoritetet për mashtrim të publikut.
Autoritetet iraniane fillimisht kanë përmendur probleme teknike për rrëzim të aeroplanit dhe kanë thënë se akuzat që Teherani kinse ka rrëzuar këtë pajisje janë propagandë amerikane.
Më vonë ushtria iraniane ka pranuar se ka rrëzuar aeroplanin, duke e konsideruar aeroplanin gabimisht si “shënjestër armiqësore”.
Rrëzimi i aeroplanit ka ndodhur disa ditë pas vrasjes së Soleimanit në Bagdad dhe po të njëjtën ditë kur ushtria iraniane ka sulmuar dy baza ushtarake amerikane në Irak.
Në një moment të rrallë, udhëheqësi i trupave të Gardës Revolucionare Islamike, gjenerali, Hossein Salami, ka bërë lutje për falje.
Më 12 janar, në po të njëjtën ditë, lideri suprem, Khamenei ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e 176 personave dhe u ka bërë thirrje forcave të armatosura që të hetojnë se ku qëndron faji për “këtë incident të dhimbshëm”.
Megjithatë, fjalët e tij kanë bërë shumë pak për të qetësuar protestuesit tejet të zemëruar.
Liderët mund “t’i fryjnë zjarrit”
Lucas ka thënë se protestat e studentëve kanë nxitur “zemërim dhe ndjenjë të tradhtisë”.
“Mbetet të shihet nëse kjo do të lidhet me shqetësimet ekonomike që kanë shkaktuar protestat masive të nëntorit”, ka thënë ai.
“Dhe mbetet të shihet nëse regjimi do të kryejë shtypje të njëjtë të përgjakshme sikurse dy muaj më parë, duke vrarë qindra persona dhe duke burgosur mijëra të tjerë, pasi ka rrezik të përshkallëzimit të mëtejmë”, ka shtuar mes tjerash Lucas.
Narges Bajoghli, profesoreshë në Universitetin Johns Hopkins ka thënë se shtypja qeveritare e protestave të studentëve mund të “përkeqësojë situatën”.
“Nëse ata mendojnë se mund ta ‘ndalin’ zemërimin përmes shtypjes për atë që kanë bërë, ata vetëm do t’i fryjnë zjarrit”, ka thënë Bajoghli në një postim në Twitter./REL