Urdhri në të gjitha shtetet amerikane për t’i detyruar banorët të qëndrojnë në shtëpi, teksa autoritetet shëndetësore përpiqen të luftojnë virusin, ka bërë që të mbyllen shumë biznese e të përkeqësohet ekonomia.
Disa protestues kanë dalë nëpër rrugë duke u bërë thirrje guvernatorëve që t’i tërheqin masat kufizuese.
Në Austin, të Teksasit, një personalitet mediatik, i njohur për debate të shumta mbi lajme teorish komploti dhe mbështetës i së djathtës politike, iu bashkua protestës duke mbajtur fjalim me altoparlant nga një makinë.
Në Anapolis, Merilend, Evi Herris, e cila organizoi protestën për të hequr masat kufizuese në Merilend, tha se “kura nuk mund të jetë më e dëmshme se sëmundja”.
Protesta pati edhe në shtetet e drejtuara nga republikanët, në kryeqytetin e Teksasit dhe përpara shtëpisë së guvernatorit të Indianas.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abot, tha se masat kufizuese do të lehtësoheshin javën tjetër.
Guvernatori i Indianës, Erik Holkomb, firmosi një marrëveshje me gjashtë shtete të tjera amerikane me të cilët do të ketë bashkëpunim për rikthimin ekonomik.
Pas disa javësh, në Florida u lejoua dalja e njerëzve nëpër plazhe, edhe pse duhej t’u nënshtroheshin masave të distancimit social.
Trump i ka nxitur protestat pavarësisht numrit më të madh të rasteve.
Në Rhode Island, zona midis Masaçusets dhe Nju Jorkut, numri i vdekjeve dhe të infektuarve është rritur në 24 orët e fundit. Nëpër azile për të moshuar janë regjistruar 90 vdekje, nga 118 që ka pasur i gjithë shteti.
Masaçusets pati 159 vdekje ditën e premte, numri më i lartë që është regjistruar ndonjëherë deri tani.
Guvernatori republikan i shtetit, Charlie Baker, citoi ekspertët e shëndetësisë dhe tha se shtetet duhet të presin edhe dy javë, sa të ulet ritmi i infektimeve.
SHBA-të kanë parë numrin më të lartë të vdekurve dhe zyrtarët kanë paralajmëruar se heqja para kohe e masave kufizuese mund ta shtojë edhe më shumë viktima.