Sport Provimi i Suarez, pezullohen drejtuesit e universitetit. Në hetim edhe Juventusi

Provimi i Suarez, pezullohen drejtuesit e universitetit. Në hetim edhe Juventusi

Prokuroria e Perugias ka konfirmuar se Juventusi ka ndërhyrë në nivelet më të larta institucionale në fillimin e muajit shtator, në mënyrë që të përshpejtonte njohjen e shtetësisë italiane të Luis Suarez.

Uruguaiani iu nënshtrua testit të italishtes në Universitetin e Perugias dhe kjo gjë iu kërkua nga klubi torinez, pasi ata i kishin plotësuar vendet në ekip për lojtarët që vijnë nga shtete të cilat nuk janë anëtare në BE.

“Është konfirmuar se përmbajtja e testit i është komunikuar paraprakisht lojtarit, në mënyrë që ai të arrinte në një rezultat për të përmbushur kërkesat që ishin bërë nga Juventusit. Gjithashtu ai veprim është bërë për të arritur një imazh pozitiv si për klubin ashtu dhe për Universitetin.

Hetimet na kanë lejuar të kuptojmë se si Juventus bëri gjithçka për të përshpejtuar njohjen e shtetësisë italiane për Suarezin. Kjo ngre hipoteza të reja për akuza të personave të tjerë, përveç atyre që  i përkasin Universitetit”, shkruhet në deklaratën e prokurorit.

Deri më tani, Prokuroria e Perugias konfirmoi ditën e sotme pezullimin për tetë muaj nga ushtrimi i detyrës për Rektorin e Universitetit, Giuliana Gregon; CEO-n e Universitetit, Simone Olivieri; profesorët Stefania Spina dhe Lorenzo Rocca për arsyen e zbulimit të sekretit profesional. Ndërkohë hetimet vazhdojnë ende.