Kosova është zgjedhur të jetë vend pritës i stërvitjes së aleancës ushtarake të NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 23”.
Në një postim në Facebook, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj saktëson se në “Defender Europe 23”, ushtria e Kosovës do të marrë pjesë me dy regjimente dhe se kjo stërvitje ushtarake do të dëshmojë përgatitjen dhe profesionalizmin e lartë të ushtrisë së Kosovës.
“Republika e Kosovës do të jetë vend pritës i ushtrimit më të madh fushor në rajonin e Ballkanit ‘Defender Europe 23’.
Përgatitjet janë duke vazhduar, ushtrimet parapërgatitore të ushtrisë sonë, blerja e pajisjeve dhe kompletimi i infrastrukturës, i paraprijnë këtij ushtrimi.
Në ‘Defender Europe 23’, ushtria e Kosovës do të marr pjesë me dy regjimente. Gjatë këtij ushtrimi, planifikohet që të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së në nivel të Regjimentit , nga njësi të specializuara për validim të Ushtrisë Amerikane.
Ushtrimi ‘Defender Europe 23’, do të dëshmoi edhe një herë përgatitjen dhe profesionalizmin e lartë të ushtrisë sonë”, shkruan kreu i mbrojtjes kosovare.
Vitin e ardhshëm, edhe në Shqipëri do të zhvillohet një pjesë e stërvitjes ushtarake “Defender 23”.
Kjo u bë e ditur nga zyra e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Shqipëria dhe Kosova ishin një ndër 16 shtetet ku u zhvillua stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender 21”.