Politika PS çon të hënën në Kuvend superkomisionin antikorrupsion. PD dyshon se bëhet...

PS çon të hënën në Kuvend superkomisionin antikorrupsion. PD dyshon se bëhet për të kontrolluar SPAK-un

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi propozoi datën 27 maj për çuarjen në seancë në Kuvend të draft-rezolutës për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Për shqyrtimin e këtij propozimi që do të krijojë dhe superkomisionin antikorrupsion, Çuçi tha se do duhet të parashikohen edhe disa orë diskutimi për deputetët.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetes së opozitës, Jorida Tabaku, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste shpjegoi pse është e domosdoshme miratimi i rezolutës dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm. Çuçi theksoi se s’ka mbivendosje me kompetencat e asnjë komisioni tjetër dhe as me punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

“Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Padiskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë”, deklaroi Çuçi.

Deputetja Tabaku ishte shprehur: “Rezoluta juaj nuk ka informacion për procesin që do të ndjekë. Nuk kemi asnjë informacion se çfarë do ndodhë me këtë komision të posaçëm, se çfarë funksionesh do i merren komisioneve permanente dhe gjithashtu edhe KKIE. Keni bllokuar KKIE me vullnet për të penguar dakordësinë që kemi pasur për krijimin e këtij institucioni dhe bllokuar punën e këtij institucioni me vetëdije. Kështu doni t’i merrni atributet që i cakton ligji miratuar bashkarisht KKIE-së? Ne e kemi të shenjtë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, sidomos SPAK-ut. Ne nuk kemi asnjë siguri që do ruhen këto pavarësi institucionale nga ky komision. Mungesa e kësaj sigurie na bën të jemi skeptikë duke parë punën tuaj. Parlamenti ka dhe 5 muaj punë dhe nuk mund të themi që qeverisë i lindi vullneti politik për të luftuar korrupsionin pas 3 mandateve në qeveri me thellim korrupsioni”.