Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë konfirmuar mbështetjen për projektdeklaratën e Grupit Parlamentar Drejtësi dhe Integrim për t’i kërkuar Greqisë heqjen e ligjit të luftës.
Pr/deklarata që u depozitua në Kuvend nga Shpëtim Idrizi dhe deputetët e tjerë të këtij grupimi do të diskutohet në seancën e ditës së enjte.
Gjithashtu, parashikohet dhe një hapësire kohore për diskutim ku palët do të shprehin qëndrimin e tyre para se të miratohet.
Deputetët e PDIU u shprehën javën e kaluar se kjo kërkesë për Kuvendin duhej të ishte bërë prej kohësh dhe presin nga të gjitha forcat politike që ta votojnë.
“Grupi i PDIU ka depozituar në kuvend projekt deklaratën për miratim nga parlamenti që kërkon heqjen e ligjit të luftës së Greqisë me Shqipërinë. Është një nismë që duhej bërë prej kohësh. Është shprehje vullnetit politik të parlamentit dhe forcave politike”, tha Mesila Doda pak ditë më parë.
Edhe ministrja Elisa Spiropali e cilësoi një ligj absurd dhe të dalë kohe.
“Qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke ndër vite për heqjen e atij ligji. Jo vetëm përpjekjet dypalëshe, apo deklaratat ndër vite të ish-ministrave të jashtëm grekë, por edhe në takimet më të afërta me homologët tanë ne e kemi bërë prezente qëndrimin tonë. Uroj që të miratohet sepse Greqia është një shtet mik, ne e kemi firmosur Traktatin e Paqes, Mirëkuptimit, Bashkëpunimit dhe Sigurisë me Greqinë i cili është ratifikuar në 1998-ën. Ne jemi në OSBE, NATO e kudo sëbashku”, tha Spiropali për mediat.
Kërkesa për heqjen e këtij ligji janë bërë nga qeveria shqiptare që prej vitit 1991, por sot e kësaj dite ai është ende në fuqi. Bëhet fjalë për një ligj që daton që prej 10 nëntorit të 1940-ës. Kohë kur u shpall dekreti mbretëror mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë.
Asokohe të gjitha pasuritë e shqiptarëve në Greqi u sekuestruan dhe filluan të administrohen nga shteti grek. Sipas këtij ligji, shtetas shqiptarë me origjinë greke quhen të gjithë ortodoksët e Shqipërisë.