Politika PS kallëzon Berishën: Facebooku i tij është një makinë paniku, po terrorizon...

PS kallëzon Berishën: Facebooku i tij është një makinë paniku, po terrorizon shqiptarët

Deputetët socialistë të Komisionit të Shëndetësisë kallëzuan penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha. Padia u dorëzua në Prokurorinë e Përgjithshme për veprën penale “Përhapja e informative të rreme që ngjallin panik”. Sipas PS, Berisha ka krijuar panik dhe me lajme të rreme në “Facebook” për koronavirusin.

Deklarata:

“Këto ditë të emergjencës kur duhet të gjithë të zbatojnë udhëzimet, vendimet dhe urdhërat e qeverisë dhe ekspertëve, më i rrezikshëm se koronavirusi është përhapja e panikut. Dhe më e ndyrë se përhapja e panikut, është përhapja e qëllimshme e panikut. Në Shqipëri këtë fushatë të turpshme po e udhëheq Sali Berisha, e pas tij “turisti” i emëruar në krye të SHQUP. Facebook-u i Sali Berishës është një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët. Sapo është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallzimi penal i deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal, kundër shtetasit Sali Berisha, i biri i Ram dhe Sheqere, i datëlindjes 15.10.1944 lindur në Tropojë e banues në Tiranë.”