Partia Socialiste kërkoi që Komisioni Qendror Zgjedhor të mos lejojë më kandidimin e kryebashkiakëve me 3 mandate, gjë që do të linte jashtë garës së qershorit të ardhshëm, 8 drejtues aktualë të pushtetit vendor.
Bëhet fjalë për socialistët Vangjush Dako në Durrës; Qazim Sejdini në Elbasan (gjithsesi ka deklaruar se nuk do të kandidonte më); Gëzim Topçiu në Maliq; Adriatik Zotkaj në Poliçan; si dhe Shuaip Beqiri në Konispol.
Ndërsa demokratët do të humbisnin dy kryetarë “të fortë” pranë kryeqytetit: Xhelal Mziun në Kamëz dhe Fiqiri Ismailin në Vorë. Duket se kjo lëvizje, dëmin më të madh ua bënte pikërisht demokratëve.
Gjithashtu, minoritari Edmond Themelko nuk do të mund të kandidonte më në Pustec.
Kjo kërkesë në tryezën e KQZ-së u paraqit nga administrata.
Sipas përfaqësuesve të opozitës në KQZ, ligji nuk ka fuqi prapavepruese dhe numërimi për limitin e 3 mandateve duhet të nisë nga viti 2015. Socialistët mbështetën interpretimin e administratës.
Për miratimin e vendimit nevojiteshin 5 vota pro dhe kundërshtimi i kryetarit Zguri bëri që propozimi të binte.