Ndryshe nga sa bënë në zgjedhjet e kaluara parlamentare, socialistët janë të gatshëm ta ndajnë me aleatët tepsinë e pushtetit vendor. Për zgjedhjet e ardhshme të 30 qershorit, Partia Socialiste do të riaktivizojë koalicionin me aleatët e saj të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me të cilët do të bashkëpunojë përsa i përket përbërjes së këshillave bashkiakë.
Plani për organizimin e PS-së në zgjedhje, që u miratua nga Asambleja pak ditë më parë, parashikon disa takime, duke nisur më janar, më pas një të dytë në shkurt dhe finalizimin e koalicionit brenda gjysmës së parë të marsit të ardhshëm.
Axhenda e makinerisë organizative të socialialistëve është mjaft e detajuar. Nga niveli i qarkut e zbritur në nivel bashkie, njësie administrative dhe qendre votimi, janë 3 strukturat e organizimit: ajo e koordinimit elektorale, struktura dixhitale dhe ajo për emigracionin, ku theksi është më shumë i vendosur te shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe Itali, të cilët do të ndihmohen me transportin nëse dëshirojnë të kthehen për të votuar.
Shkurti është afati final brenda të cilit duhet të ngrihen zyrat elektorale në çdo bashki të vendit, ndërsa një vëmendje e veçantë i kushtohet listave të zgjedhësve. Mes tyre, është lënë porosi që të evidentohen votuesit potencialë të PS që duhet të nxiten për të dalë në votime përmes grupeve patronazhit. Po ashtu duhet të evidentohen edhe zgjedhësit e lëkundur me të cilët mund të punohet për t’i bindur si dhe ata që nuk votojnë për socialistët.
Axhenda e organizimit të socialistëve vazhdon deri pas ditës së votimit me analizën e zgjedhjeve dhe hartimin e një raporti përfundimtar post-zgjedhor.