Anëtarët socialistë të Asamblesë Kombëtare, e mërkura do t’i gjejë para kryesocialistët Edi Rama, i cili ka vendosur t’i mbledhë në kryeqytet në orën 17:30. Ashtu si pas çdo procesi zgjedhor, Edi Rama kërkon të bëjë një analizë të thelluar, por dhe të përcaktojë përgjegjësitë që vijnë bashkë me fitoren.
Analiza do të përfshijë çdo kryebashkiak dhe drejtues qarku. Këta të fundit nuk përjashtohen nga ndonjë ndryshim i mundshëm. Zhvillimi i kësaj asambleje e gjen grupin parlamentar të PS pa kryetar, ç’ka shton mundësinë që emrin e ri, Edi Rama ta lançojë në këtë takim.
Dy ditë më pas (në datat 28-29 Korrik), Edi Rama do të rrisë ethet për kabinetin qeveritar, të cilët do t’i mbledhë në qytetin e Tepelenës.
Një mbledhje me dyer të mbyllura, ku ekziston mundësia e ndryshimeve të shumëpërfolura në qeveri, ose të një analize të qartë për një hap të tillë në shtator.
Kjo mbledhje e Asamblesë Kombëtare vjen në një moment delikat për PS dhe qeverinë, zyrtarë të së cilës kanë qenë jo pak në shënjestër të drejtësisë, së fundmi ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, për të cilin kreu i qeverisë tha se PS nuk do të bëhet mburojë.