Pas pesë vitesh në krye të organit të akuzës, mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla ka hyrë në muajin e vet të fundit.
Por vakumi institucional i krijuar nga vonesa e ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, dhe interpretimet e ndryshme kushtetuese pritet ta kthejnë mandatin e kryeprokurorit aktual në një terren të ri për përplasje politike mes maxhorancës dhe opozitës.
Ndonëse mandati 5- vjeçar i Llallës mbaron më 3 dhjetor, deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, me të cilët BIRN bisedoi, u shprehën në favor të mundësisë për zgjatjen e mandatit të tij edhe me dy vjet të tjerë.
Në këtë argument, deputetët e opozitës përdorin precedentin e shkarkimit të ish-kryeprokurores Ina Rama dhe mungesës së KLP-së, e cila ka për kompetencë nisjen e procedurës. Por ndryshe nga opozita, Partia Socialiste mendon se mandati i kryeprokurorit Llalla merr fund më 3 dhjetor dhe se dispozitat kalimtare të ligjit për Prokurorinë “nuk lënë hapë- sirë për diskutim mbi këtë çështje”.
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë një ndër çështjet e debatueshme gjatë kohës së përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve mbështetëse të Reformës në Drejtësi. Draftet e para të ndryshimeve kushtetuese patën parashikuar që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe disa mandate të tjera ndërpriteshin nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por pas ndë- rhyrjes së “Venecias”, u argumentua se “mbajtja e Prokurorit të Përgjithshëm deri në skadimin e mandatit të tij do të ishte e pranueshme”.
Sipas nenit 148a të Kushtetutës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka të drejtën e hapjes së procedurës dhe dërgimit në Kuvend të një liste me tre kandidatët më të kualifikuar për Prokuror të Përgjithshëm. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh atë me 3/5 e votave brenda 30 ditësh, atëherë kandidati i parë në listën e KLP-së shpallet i emëruar.
Por në mungesë të KLP-së, mandati i Llallës është subjekt i argumenteve të ndryshme mes anëtarëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës. Duke iu referuar rastit të mandatit të Ina Ramës, Edmond Panariti thotë se Kushtetuta e re krijon hapësirë që kryeprokurori të kërkojë një zgjatje të mandatit me dy vjet.
“Sipas precedentit Ina Rama dhe mandatit 7-vjeçar të vendosur me ndryshimet e ligjit (Prokurori i Përgjithshëm) mund të kërkojë zgjatje edhe dy vjet”, tha deputeti Panariti.
Ervin Salianji, sekretar i Grupit Parlamentar të PD-së, ka qëndrim të ngjashëm me Panaritin e LSI-së. Ai i tha BIRN se sa kohë institucionet që duhet të zgjedhin prokurorin e ri nuk janë ngritur, shtyrja e mandatit të Llallës është e pranueshme.
“Nëse ka një diskutim të tillë, interpretimin e bën Gjykata Kushtetuese. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është 7 vjet me ndryshimet e reja kushtetuese”, tha Salianji.
Për Ulsi Manjën, kryetarin socialist të Komisionit të Ligjeve, mandati i kryeprokurorit aktual mbyllet më 3 dhjetor, ndërsa shtoi se Kushtetuta nuk mund të ketë fuqi prapavepruese.
“Nuk ka ende një vendim zyrtar se si do të veprohet në këtë rast, pasi kjo do të diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Por mandati i kryeprokurorit Llalla mbaron më 3 dhjetor dhe se nuk ka mundësi për shtyrje, kjo është e përcaktuar në ligjin për Prokurorinë dhe nuk lë asnjë hapësirë për diskutim”, tha Manja.
Dispozitat kalimtare që u referohet Manja lidhen me ligjin e ri për Prokurorinë, i cili rregullon edhe rastin aktual, kur mandati i kryeprokurorit përfundon përpara krijimit të KLP-së.
“Funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve e që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”, thuhet në to. Manja kundërshton gjithashtu përdorjen e precedentit të shkarkimit të Ina Ramës për kryeprokurorin Llalla, duke e quajtur vendimin e marrë në atë kohë si të gabuar.
Në vitin 2012, shumica PD-LSI, pas një dekreti të ish-Presidentit Bujar Nishani, vendosi të mbyllte mandatin e kryeprokurores Ina Rama, duke u nisur nga dita e fillimit të punës prej saj në vjeshtë 2007, por bazuar në ndryshimet kushtetuese të një viti më vonë, të majit të vitit 2008. Socialistët e kundërshtuan asokohe këtë si shkelje të Kushtetutës. “Ashtu si në rastin e Ina Ramës, kur mandati duhej të ishte llogaritur prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës dhe jo prej ditës së emërimit, edhe në këtë rast Kushtetuta nuk mund të ketë fuqi prapavepruese”, u shpreh Manja.
Ndonëse mandati i kryeprokurorit Llalla është ende jashtë axhendës së ditës, qëndrimet e ndryshme të maxhorancës dhe opozitës duket se do të përplasen shpejt në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ku çështja pritet të zgjidhet me forcën e kartonëve. BIRN mësoi nga burime të maxhorancës në Kuvend se ndonëse nuk ka ende një qëndrim zyrtar, plani është që me mbarimin e mandatit të Llallës, Kuvendi do të zgjedhë një prokuror të përkohshëm me eksperiencë në vend të tij, deri në ngritjen e KLP-së.
Maxhoranca beson se sipas dispozitave kalimtare, kjo zgjedhje bëhet me shumicë të thjeshtë. “Dispozitat e reja ligjore e kufizojnë pushtetin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe se ky i fundit nuk ka më pushtet mbi hetimin”, tha burimi për BIRN në kushtet e anonimatit. Nëse ndodh, një zgjedhje e tillë pritet të shoqërohet me debate të ashpra.
Ervin Salianji tha se caktimi i Prokurorit me shumicë të thjeshtë do të ishte “skandaloz”. Salianji tha se vonesat e KLP ishin të qëllimshme për të krijuar këtë hapësirë, ndërsa shpjegoi se e vetmja zgjedhje në këtë rast do ishte qëndrimi në detyrë i prokurorit aktual, të paktën deri në emërimin e tjetrit.
“Kurrsesi nuk duhet të vendosë politika, duhet të zgjedhin institucionet, nëse përfshihet prapë politika në zgjedhjen e institucioneve kushtetuese, u gropos drejtësia”, thotë ai.
PËRZGJEDHJA E PROKURORIT SIPAS KUSHTETUTËS SË RE
NENI 148/A
1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.
3. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
4. Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.
5. Pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
DISPOZITË KALIMTARE PËR KOMPETENCAT E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM NË DETYRË
1. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë qëndron në detyrë deri në fund të mandatit, nëse nuk ka arsye për të përfunduar mandatin e tij, sipas kreut VIII, të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ose si rezultat i procesit të rivlerë- simit, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
2. Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.
Vladimir Karaj- BIRN