Tre figurat qendrore të Partisë Socialiste kanë marrë përsipër të menaxhojnë 12 qarqet e vendit sa i përket koordinimit politik.
Bëhet fjalë për Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe Taulant Ballën të cilët do të drejtojnë nga katër qarqe secili dhe do të jenë drejtuesit e rinj politikë të Partisë Socialiste në të gjithë vendin.
Mbi 12 drejtuesit politikë do të kenë një tjetër strukturë të përbërë nga tre figurat kryesore të PS.
Kryeministri Rama do të braktisë Vlorën nga ka dalë deputet dhe do të ngjitet në veri të vendit duke qenë koordinator i 4 qarqeve së bashku, Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër. Drejtuesit aktualë politikë, Ditmir Bushati, Safet Gjici, Lindita Nikolla dhe Olta Xhaçka do të raportojnë te numri një i socialistëve.
Balla do të ketë nën koordinim kryeqytetin, Durrësin, Elbasanin dhe Korçën. Blerina Gjylameti, Vangjush Dako dhe Niko Peleshi do të raportojnë te numri dy i partisë.
Ndërsa te Gramoz Ruçi do të japin llogari drejtuesit politikë të Fierit, Beratit, Gjirokastrës dhe Vlorës. Blendi Klosi, Bledi Çuçi dhe Damian Gjiknuri.
Ditën e sotme kryeministri Edi Rama mblodhi Kryesinë e Partisë Socialiste ndërsa më 22 korrik pritet mbledhja e Asamblesë. Në këtë të fundit priten jo pak surpriza, edhe pse Rama nuk pranoi të komentonte për ndryshime të mundshme në qeveri