Në kulmin e protestave jashtë Parlamentit, mazhoranca pritet ti japë një tjetër goditje opozitës. PS ka rikthyer sërish në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, për shkelje të rëndë të ligjit.
Konferenca e kryetarëve ka përfshirë në kalendarin e punimeve 3 javore kërkesën e depozituat nga kreu i grupit socialist Taulant Balla.
Sipas socialistëve në 2017 kreu i KQZ nuk respektoi ligjin e dekriminalizimit në rastin e një kryebashkiaku të akuzuar nga mazhoranca si një ish i dënuar.
Klement Zguri drejton këtë institucion që pas marrëveshjes së 18 Majit Rama-Basha. Në KQZ opozita nuk ka dërguar përfaqësuesit e saj duke i lënë vakante karriget e tyre duke bërë që KQZ të funksionojë vetëm me 5 anëtarë. Madje dhe në votime Zguri ka qenë vendimtar në rrëzimin ose miratimin e propozimeve.
Për shkarkimin e Kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve PS i mjafton shumicë të cilësuar votash sipas përcaktimeve në nenin 15 të kodit zgjedhor.