Kryesore Pse Albin Kurti nuk iu ngriti telefonin amerikanëve? Kryeministria sqaron situatën

Pse Albin Kurti nuk iu ngriti telefonin amerikanëve? Kryeministria sqaron situatën

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka konfirmuar se mbrëmjen e së hënës rreth mesnatës në celularin e Albin Kurtit ka pasur një thirrje nga Shtetet e Bashkuara, por shefi i qeverisë nuk është përgjigjur.

Mediat e Kosovës që publikuan lajmin raportojnë se telefonata u bë nga këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Donald Trump, Robert O’Brien. Sipas të njëjtave burime Kurti nuk u është përgjigjur as disa telefonatave nga Shtëpia e Bardhë dhe më pas nga ambasada amerikane në Prishtinë.

“O’Brien e ka telefonuar Kurtin për të diskutuar, por ai nuk është përgjigjur. Nuk u është përgjigjur as disa thirrjeve të tjera nga Shtëpia e Bardhë. Ai po i shkatërron raportet”, – citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti për Gazetën Express.

Por, sot Kryeministria e Kosovës ka konfirmuar versionin e saj rreth ngjarjes. Zyra e Kurtit ka deklaruar se kryeministri ka folur sot rreth orës 17:00 me zyrtarët amerikanë.

“Mbrëmë kur e kanë kontaktuar rreth mesnatës nga ambasada amerikane nuk ka mundur të përgjigjet, por atë bisedë e ka zhvilluar para një ore e gjysmë. Pra, me ambasadorët O’Brien dhe Grenell”, – kanë thënë për kallxo.com zyra e kryeministrit Kurti.

Të hënën në Shtëpinë e Bardhë është mbajtur një takim mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për ta rinisur dialogun Prishtinë – Beograd. Amerikanët janë shprehur të pakënaqur me vendimin për tarifën që mori Kurti. Ata kërkojnë heqjen e plotë të tarifës, pa ndonjë masë tjetër, siç është reciprociteti i propozuar nga kryeministri.

Vetë Kurti ka reaguar mbrëmjen e së martës në Twitter ku shkruan se Kosova e hodhi hapin e parë me taksën, por Serbia vazhdon fushatën kundër njohjes së Pavarësisë siç ishte rasti më i fundit me Sierra Leonen.

“Edhe pasi Kosova tregoi vullnetin e mirë duke hequr tarifën 100% të lëndëve të para, Serbia vazhdon me fushatën e saj të tërheqjes së njohjeve. Ne nuk jemi pengesa në rrugën e dialogut dhe nuk kemi qenë kurrë. Ne bëmë një hap përpara, ata bënë edhe një hap prapa. Pse?”, – shkruan Kurti.