Mazhoranca ka ngritur një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar presidentin e Republikës, Ilir Metën me pretendimin se ky i fundit me aktivitetin e tij ka shkelur Kushtetutën.
Kjo ishte njëra prej çështjeve, e cila u diskutuan në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ngritjen e komisionit për të shkarkuar Metën e kategorizon si “lojë politike” të mazhorancës qeverisëse, ndërsa thotë se ky objektiv i saj nuk do mund të realizohet.
“Asgjë nuk do të ndodhë, është lojë, është teatër. Hajde ta shtyjmë “tërhiqe mos e këput”. Procesi është politik, sa më gjatë të rrijë Ilir Meta aty….i shërben Ramës”, tha ai.
Por, në këtë proces ajo që e shqetëson më tepër eksperten e komunikimit Erla Mëhilli lidhet me qëndrimi e Partisë Demokartike.
Ajo theksoi se ky subjekt politik nuk ka mbajtur asnjë qëndrim publik mbi këtë proces dhe kjo qasje për Mëhillin e dëmton rëndë PD-në.
“Ajo që unë e shoh është se mbetet i paqartë pozicioni i PD dhe Lulzim Bashës për shkarkimin e z. Meta. Nuk e kam dëgjuar (PD) të thotë asgjë në lidhje me këtë. Kjo është çështje e rëndësishme, që po ngrihet një komisioni për të hetuar presidentin e republikës. Kjo tregon se PD nuk ka as orientim dhe as strategji që nuk flet për këtë çështje. Ajo duhet ta mbajë një qëndrim padiskutim, sepse njerëzit mendojnë se ka një marrëveshje mes të dyve (PS-PD)”, tha ajo.