Extra Pse Beniada e fitoi Big Brother-in e saj

Pse Beniada e fitoi Big Brother-in e saj

Nga personazhi që hyri në “Big Brother VIP” duke u komentuar për fotot nudo apo për faktin që është mbesa e ish-presidentit Bujar Nishani e deri te komentet se e meriton finalen (pse jo edhe fitoren), rrugëtimi i Beniada Nishanit (Jakic) në reality show-n ka qenë i atillë që meriton të thuhet se ajo e fitoi Big Brother-in e saj.

Beniada hyri në “Big Brother” në një pozitë ndoshta jo të barabartë me një pjesë të konsiderueshme të banorëve, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër, gëzonin një njohje më të gjerë në Shqipëri. Emri i saj u përfol katër vjet më parë – për faktin që ishte imazh i “Playboy” në Portugali, kishte pozuar nudo për GQ në Itali, ishte personazh televiziv në programin investigativ “Le Iene” në Mediaset, kishte lidhje gjaku me ish-presidentin Bujar Nishani. Nuk vazhdoi gjatë dhe mediat nuk patën më interes për Beniadën dhe jo më kot shumë njerëz pyetën “kush është kjo?” kur u prezantua si banore.

Sot, ish-konkurrentë të “Big Brother”, si Arbër Çepani, Genta Gjalpi dhe Neda Balluku, jo vetëm e dallojnë Beniadën mes shumë të tjerëve, por e shohin pse jo edhe si fituese. Publiku gjithashtu e pëlqen shumë. Cilat janë arsyet që njerëzit kanë një qasje kaq pozitive ndaj këtij personazhi?

1 – Pozitiviteti

Rastet kur Beniada ka ngritur zërin ose ka debatuar ashpër me ndonjë nga banorët e tjerë janë pothuajse 0. Në mesin e shumë banorëve që nuk ngurrojnë të “përplasin brirët” sapo u jepet rasti, Beniada ka vendosur të qëndrojë larg ulërimave. Qetësia e saj olimpike ka bërë për vete jo pak ndjekës. Energjia pozitive ra në sy edhe te producenti Edi Manushi i cili i ofroi që të moderonte “Procesin Sportiv”.

2 – Sinqeriteti, por pa dramë…

Një tjetër arsye pse Beniada dallon mes të tjerëve është sinqeriteti i saj, qoftë kur shprehet gjatë diskutimeve në grup ashtu edhe kur tregon për detaje të jetës personale. Beniada flet pa dorashka, i thotë gjërat ashtu si i mendon me një qetësi të adhurueshme dhe nuk e kërkon vëmendjen. Duket se ajo nuk i ka përdorur historitë personale, sado të dhimbshme, për të fituar simpatinë e publikut. Përmendim këtu se ka folur shumë pak për përjetimin e bullizmit, për faktin që punonte si kasiere në diskotekë sepse nuk përballonte dot shpenzimet e shkollës dhe po kaq shkurt ka cekur dhe faktin që është operuar për shkak një tumori në gjoks.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Beniada Jakic (@iambeniada)

3 – Origjinaliteti

Sigurisht që nuk mund të mos përmendim të folurën karakteristike. E larguar nga Shqipëria në moshën 2-vjeçare, Beniada ka një të folur origjinale, ku shpesh mbiemrat nuk përputhen me gjininë e emrave, si në rastin “ti je një djalë e mrekullueshme”, fjalët vijnë të transformuara, si “paragjydikon” në vend të “paragjykon” apo “thapasheme” në vend të “thashetheme”. Së fundmi, u desh pak kohë që nga Betriti, Betrini, Betrinti e Betrunti të kalohej më në fund te emri i Butrint Imerin. Artikulimi karakteristik, shoqëruar me të folurën pozitive dhe të qetë, e bëjnë Beniadën një personazh që ke qejf ta dëgjosh, ndoshta më me interes se debatet Donald-Ilir.

4 – Lidere e heshtur

Vërtet Donaldi dhe Iliri konsiderohen si liderë të “grupeve të tyre” dhe shpeshherë liderë të shtëpisë, por a mos ndoshta dikush tjetër i ruan më mirë balancat në shtëpi se këta të dy? Nëse po flasim për konceptin e mirëfilltë të liderit që ruan harmoninë, Beniada është ndër të paktët që shkon mirë me të dy grupet e krijuara duke thënë të vërtetën ashtu siç ajo e mendon, duke ndarë të gabuarën nga e drejta dhe duke mos u dalë krah njerëzve thjesht sepse i ka miq.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Beniada Jakic (@iambeniada)

Patjetër që kanë ndikuar në lojën e saj edhe shumë faktorë të tjerë. Ndryshe nga Arjola Demiri, Ilir Shaqiri apo Monika Lubonja, Beniada nuk ka lënë jashtë shtëpisë fëmijë dhe familjarë, që do të thotë se shpërthimet emocionale i ka më të pakta. Ndryshe nga konkurrentët e tjerë, që kanë një karrierë në Shqipëri, Beniada nuk ka asgjë për të humbur sepse karriera e saj është e përqendruar në Itali, ndonëse ka premisat për të qenë më aktive në televizionin shqiptar.

Të gjitha këto arsye e kanë bërë modelen një personazh të dashur, gjë që vihet re edhe në numrin e ndjekësve (aktualisht ka më shumë se 180,000; gati 40,000 më shumë se para se të futej) dhe përshtypjet online. Në një sondazh të Anabel.al, Beniada renditet në vendin e parë si personazhi për të cilin ndjekësit mendojnë se “Big Brother VIP” do të ndikojë pozitivisht, saktësisht 93%.

Thënë këto, shkon ose jo në finale, fiton ose jo “Big Brother VIP”, rasti i Beniadës është shembulli se të qenit origjinal dhe pozitiv mund të të bëjë më të pëlqyeshëm dhe të të çojë shumë më larg sesa dramat, strategjitë dhe sherret.

Burimi: Anabel.al