Miliarderi amerikan Bill Gates, i cili po qëndron në zonën e Egjeut prej më shumë se një jave, është në kërkim të një trualli të përshtatshëm në Turqi dhe planifikon të ndërtojë një fermë.
Duke folur për portalin amerikan New York Post, një burim tha se Bill Gates “dëshiron të ndërtojë një fermë të madhe dhe të qëndrueshme në Turqi” për Fondacionin Bill dhe Melinda Gates, organizatë jofitimprurëse që ka një pasuri prej rreth 50 miliardë dollarësh dhe të cilën ai e menaxhon me ish-bashkëshorten.
Në sesionet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26), në Glasgou të Skocisë, Gates premtoi një fond prej 315 milionë dollarësh për të ndihmuar fermerët të kultivojnë prodhime që i bëjnë ballë ndryshimeve klimatike.
Ai tha se paratë do të shkojnë për një konsorcium farërash, i cili ndihmon fermerët të përshtaten me modelet e ndryshimit të klimës.
Ndërkaq, vlen të kujtojmë se Bill Gates zotëron aktualisht një truall me sipërfaqe 22 mijë dynymë në zonën gjeografike turke të Trakisë.
Themeluesi i Microsoft dhe shoqëruesit e tij vizituan qytetin e lashtë të Efesit në fund të tetorit.
Jahti privat i tij u ankorua fillimisht në gjiret e rrethit Kusadasi të provincës Ajdën dhe më pas në ato të rrethit Bodrum të provincës Mugla.