Bota Putin: Krimea do të jetë përgjithmonë pjesë e Rusisë

Putin: Krimea do të jetë përgjithmonë pjesë e Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin udhëtoi në Krime në ditën e festës kombëtare të Unitetit duke deklaruar se rajoni do të jetë gjithmonë pjesë e Rusisë.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, një lëvizje që vendet perëndimore e konsiderojnë si të paligjshme.

Putin e lartësoi aneksimin, ndërsa vizitoi Sevastopolin, qytetin që është porti i flotës ruse të Detit të Zi.

“Vendi ynë ka rifituar unitetin e tij historik. Kjo lidhje e gjallë dhe e pathyeshme mund të ndihet veçanërisht këtu, në Sevastopol, në Krime,” – tha Putin të enjten.

“Ata janë me Rusinë përgjithmonë, pasi ky është vullneti sovran, i lirë dhe i palëkundur i popullit, i të gjithë popullit tonë,” – shtoi presidenti rus.

Dita e Unitetit shënon dëbimin në vitin 1612 të forcave polako-lituaneze që pushtuan Moskën. Festa filloi në vitin 2005, duke zëvendësuar përkujtimin e epokës sovjetike në atë datë të Revolucionit Bolshevik.

Kjo ditë u bë gjithashtu një rast për marshime kundër emigrantëve nga nacionalistët, por autoritetet e Moskës ndaluan që kjo ngjarje të zhvillohej në kryeqytetin rus këtë vit.