Shqipëria ka hyrë në vitin 2019, e kapluar nga tensioni politik dhe me shpresën që përplasja mes qeverisë dhe opozitës nuk do të ndikojë në vendimin e qershorit për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit në BE.
Me opozitën që po shkon drejt protestave popullore për rrëzimin e Edi Ramës dhe qeverinë që I qëndron “stohike” bindjeve të saj dhe ndërkombëtarët që trokasin në çdo seli me dosjen e reformës zgjedhore në dorë, vendi duket në një udhëkryq dhe për të komentuar situatën në fjalë në “Open” është ftuar kreu i Grupit të PS, Taulant Balla.
Që në nisje Balla është “ngacmuar” nga moderatorja Eni Vasili për qeverinë “Rama3” dhe faktin se ai ngeli jashtë këtij kabineti.
Vasili e pyeti Ballën si e përjetoi ai momentin kur emri i tij nuk u thirr nga Rama në Asamblenë Kombëtare, por ai i Braçes u dëgjua dhe deputeti i Divjakës u bë zv/ministër.
Balla u përgjigj duke thënë se nuk është xheloz për Braçen dhe se ai nuk mund të bëhet ministër pasi nuk ia lejon statuti i PS-së.
“Së pari jam shumë I gëzuar për Braçen, ndërkohë që Babaramo dhe Anila mund t’iu shpejgojnë që Sekretarit të Përgjithshëm të PS nuk i lejohet të jetë në qeveri. Kështu që unë kam zgjedhur të jemë numri 2 i PS-së”, u shpreh kreu i Grupit të PS.