Aktualitet “Pse bredh?! Je pa burrë”, babai në Lushnje plagos me armë vajzën...

“Pse bredh?! Je pa burrë”, babai në Lushnje plagos me armë vajzën dhe më pas vret veten

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Lushnje, ku babai ka plagosur vajzën pas një konflikti dhe më pas ka vrarë veten. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15, në lagjen “18 Tetori”.

Mësohet se babai Behar Musaku, rreth 82 vjeç pas një sherri të çastit ka plagosur me armë gjahu vajzën e tij, Rudina Musaku rreth 40 vjeç.

Pas kësaj, babi me armën e gjahut që e kishte me leje, ka vrarë veten. 40-vjeçarja ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Shkaku i ngjarjes

“Pse bredh?! Je pa burrë, mos ik lart e poshtë!”, sipas familjarëve kështu mësohet  t’i ketë thënë 82-vjeçari Behar Musaku vajzës së tij, para se ta qëllonte me çifte.

Siç duket divorci i 40-vjeçares ishte kthyer në një pikë të nxehtë debatesh të herëpashershme mes babë e bijë. Debate që çuan në ngjarjen e rëndë, ku Rudina Musaku është në spital në gjendje kritike, ndërsa i moshuari i ka dhënë fund jetës së tij. E pranishme gjatë sherrit mes tyre, kishte qenë dhe gruaja e 82-vjeçarit.

E plagosura, është nënë e dy fëmijëve dhe sipas raportimeve, këtë të diel ajo kishte shkuar për vizitë te i ati.

Mësohet se Rudina punon si kamariere në Tiranë, ndërsa fëmijët e saj, 16 dhe 17 vjeç, rrinë më shumë me ish-bashkëshortin.