Në pamundësi për të shndërruar në një telenovelë për të ushqyer sa më gjatë kureshtjen e njerëzve, dorëheqja e shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) Visho Ajazi, po tentohet që të shndërrohet në një lojë kungulleshkash. Pyetja, me sa duket, është vetëm një: Përse e dha dorëheqjen? Por përgjigjet që ajo ka prodhuar në debatin publik, mediatik rrjetet sociale, duke mos llogaritur këtu institucionin e rëndësishëm të kafeneve, janë shumë. Aq shumë sa me to kanë filluar që të mbushin lista të gjata. Lutfi Dervishi, për shembull, kishte renditur deri tani nga aq sa ai si një vëzhgues i hollë ka mbledhur gjithandej, nja 13 shkaqe, apo sebepe të cilat i ka unifikuar rreth fjalës që ka përdorur: “arsye”. Arsyeja themelore se përse ndodh e gjitha kjo, më siguri mund të ketë lidhje me faktin se vetë shërbimet sekrete, jo vetëm nga emërtimi, por edhe për nga detyrat kushtetuese që ka dhe funksionin e tij në një shtet qoftë edhe si ky yni, bart brenda vetes mister, joshje, tundim, kërshëri, interes, miklim dhe kuriozitet njerëzor, për të kuptuar se ç’ndodh brenda asaj godine të rrethuar nga një aureolë mistike e hermetike. Kjo ndodh me shërbimet sekrete në çdo shtet tjetër të botës, në çdo regjim, sistem, apo epokë të historisë. Edhe Shqipëria, që në pamje të parë konsiderohet si një vend pa sekrete të mëdha, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër, sigurisht që ka gjëra për të cilat informacioni mbetet në një numër shumë të kufizuar duarsh, e veshësh. E për rrjedhojë, shumë apo pak, të rëndësishme apo të parëndësishme në një plan global, rajonal apo kombëtar, sekretet mbeten sekrete. E si të tilla, është në natyrën njerëzore që të tentojë për t’i mësuar ato. Në pak më shumë se çerek shekulli demokraci pluraliste, shteti ynë ka pasur rreth 10 shefa shërbimi sekret, nga të cilët gjysma as që mbahet mend, për të mos thënë që edhe protagonistët vetë mund ta kenë “harruar” tashmë se përse kanë qenë atje. Jo vetëm jetëgjatësia në detyrë, por edhe profilet e tyre njerëzore e profesionale, kanë qenë nga më të ndryshmet. E përbashkëta për të gjithë ka qenë fakti se komunikimi i tyre zyrtar me publikun gjatë kohës që e kanë ushtruar detyrën, ka qenë “zero”. Ka pasur shefa shërbimesh sekrete, si i ndjeri Bashkim Gazidede për shembull, për të cilin në media qarkullonte vetëm një foto e dalë aksidentalisht nga arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, derisa ai vetë doli për herë të parë e të fundit para kamerave në Parlament, për të raportuar rreth trazirave antifajde të fillimvitit 1997.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse në fund të fundit, misteri është një dimension që i shkon seriozitetit të çdo shteti, sikundër edhe faktorët që e mundësojnë atë. Por ne jemi një vend i hapur, me institucione që zbatojnë standarde të njohura ndërkombëtarisht, ku njëra prej të cilave ka lidhje me komunikimin publik. E drejta për informim buron nga fryma dhe germa e Kushtetutës dhe është një detyrim jo vetëm ligjor, por edhe një e drejtë universale e njeriut, për rrjedhojë edhe një detyrim për të gjithë drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme, ose jo të këtij shteti. SHISH ka zyrë shtypi, ka zëdhënës (të cilin është më e vështirë se shefin e tij ta njohësh në Shqipëri!) në organigramën e institucionit. Për rrjedhojë, një komunikim qoftë edhe me një gjuhë të drunjtë, apo fare thatë e formalisht, për rastin e dorëheqjes së shefit të institucionit të tyre, është jo vetëm obligim, por edhe një mundësi e shkëlqyer për t’i dhënë fund gjithë vorbullës së spekulimit. Meqë ne shqiptarët e kemi qejfin që për çdo gjë t’u referohemi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe unë s’po bëj përjashtim dhe po i referohem një shembulli të freskët të saj edhe për këtë çështje. Pak muaj më parë, vetëm 11 ditë pasi firmosi aktin e parë zyrtar si Presidenti në Shtëpinë e Bardhë, Tramp largoi drejtorin e FBI, James Comey. Situata atje pothuajse ishte një miniaturë e raporteve të shefit të SHISH në Shqipëri, me shefin e ekzekutivit. Gazeta “New York Times” shkroi se shefi i FBI ka qenë me stafin e tij në Los Angeles kur mësoi për lajmin e shkarkimit nga detyra nëpërmjet një televizori që qëndronte i ndezur “rastësisht” në sallën e mbledhjes.
Një lajm që u bë publik, përpara se shkresa e firmosur nga Presidenti Tramp të mbërrinte në zyrën e shefit të Byrosë Federale të Hetimeve. Pavarësisht kësaj, ka qenë Presidenti amerikan ai që ka sqaruar publikisht arsyet e këtij largimi, duke dhënë versionin zyrtar rreth këtij akti të bujshëm. Sigurisht që ndoshta ajo nuk ka qenë e gjithë e vërteta, por në çdo rast qëndrimi zyrtar është i rëndësishëm si një referencë kryesore për debatin, mediat, opinionin dhe të përshkrimit të të dyja anëve të historisë. Ana tjetër e debatit që prevaloi pas kësaj, ishte se arsyeja e shkarkimit të drejtorit të FBI lidhej me konfirmimin që ai i bëri faktit se po drejtonte një hetim për të zbuluar nëse zyrtarët e fushatës së Presidentit Tramp kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhje. Edhe në Shqipëri, në rast të një njoftimi zyrtar nga institucioni i SHISH, me siguri që spekulimet nuk do të ndalonin. Por e sigurt është bëmë dot si Amerika. Me sa duket, kemi zgjedhur rrugën që përkufizon një thënie brilante e Shekspirit: Intrigë, qëndro më këmbë, pa merr çfarë rruge të duash…!