Një ndër këshillat kryesore të mjekëve për të ndaluar përhapjen e koronavirusit është edhe shmangia e prekjes së fytyrës. Por pse njerëzit e prekin fytyrën dhe a ka ndonjë mënyrë të lehtë për ta ndaluar së bëri këtë?
BBC është ndalur në këtë çështje dhe ka marrë në intervistë një psikologe, e cila ka treguar se njerëzit e kanë në natyrën e tyre këtë gjë.
“Është pjesë e ADN-së sonë”, tha Natasha Tiwari.
Sipas saj njerëzit që në fetus e prekin fytyrën.
“Kështu që çdo kohë i thua vetes: Ndalo së prekuri fytyrën, mos e prek fytyrën, nëse e prek do të sëmurëm. Në fakt po i thoni vetes të bëjë diçka që është pothuajse e panatyrshme. Kur prekim fytyrën, në fakt do të thotë se po qetësojmë veten”, u shpreh Tiwari.
Të njëjtën gjë e shohim edhe tek kafshët si macet dhe qentë. Sipas psikologes edhe fëmijët sillen njësoj si prindërit.
“Ironia qëndron se atëherë kur është më shumë e rëndësishme që të mos e prekësh fytyrën, në mënyrë të pandërgjegjshme mendja shkon në një vend ku mund të të mbrojë më mirë duke bërë gjëra që e di që do të të lehtësojnë. Kështu e pandërgjegjshmja do t’i lëvizë duar drejt e në fytyrë”, tha ajo.
Por si ta shmangim këtë gjë?
“Është pothuajse e pamundur që të mos e prekësh fytyrën. Një mënyrë e mirë për ta bërë më të lehtë është të heqësh dorë nga zakonet që të bëjnë ta prekësh fytyrën. Kjo do të thotë që të mbani syze, të vini më pak make up. Gjithashtu do të thotë që të krijoni zakone të tjera se si i përdorni duart gjatë kohës që flisni apo qëndroni diku”, u shpreh psikologia, e cila shtoi se kryqëzimi i duarve mund të jetë një mënyrë e mirë për të ndaluar së prekuri fytyrën me dorë.