Sebastian Kurz, udhëheqësi 33-vjeçar i Partisë Popullore austriake do të marrë sërish drejtimin e qeverisë, pasi partia e tij doli fituese në zgjedhjet e parakohshme të së dielës.
Partia e tij fitoi 37 për qind të votave, një ngrite prej 6 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por ende e pamjaftueshme për të ngritur në qeveri.
Sipas rezultateve paraprake, të Gjelbrit siguruan 14 për qind të votave, një fitore e madhe, ndërsa po rriten shqetësimet për ndryshmet klimatike.
Ish-aleatët e Kurz, e djathta ekstreme e Partisë së Lirisë, janë humbësit më të mëdhenj në këto zgjedhje në të cilat Socialdemokratët e qendrës së majtë fituan 22 për qind të votave, rezultati më i keq i tyre, ndërsa liberalët NEOS fituan rreth 7 për qind të votave.
Por cili ka qenë qëndrimi i tij ndaj çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?
Majin e 2018-ës, kur drejtonte ekzekutivin austriak, Kurz qe shprehur se Shqipëria është në rrugën e drejtë drejt integrimit dhe e meriton.
Shqetësimin e vet kryesor asokohe e paraqiste Turqia, për të cilën Kurz thoshte se duhet bllokuar, ndërsa u shfaq pozitiv në raport me hapjen e negociatave për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ”kushdo që dëshiron të shmangë konfliktet në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojë stabilitetin e nevojshëm për vendet në rajon, duhet ofruar një ofertë e besueshme e perspektivës europiane”.
Ndaj edhe kryeministri Edi Rama e përshëndeti menjëherë fitoren Kurz
“Urime Sebastian Kurz për fitoren e madhe dhe me të vërtetë e lumtur për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor që një kampion i tillë i së ardhmes sonë të përbashkët evropiane do të jetë duke udhëhequr Austrinë miqësore për vitet kritike që vijnë”, shkruante Rama në rrjetet sociale.
Edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, reagoi për fitoren e Kurz, që nuk hezitoi ta cilësonte si mik të vetin.
“Me votimin e djeshëm qytetarët austriakë dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme për këtë vendim të Sebastian Kurz dhe Partisë Popullore Austriake, të cilët janë aleatë të paçmueshëm të Shqipërisë dhe model për politikën shqiptare”, shkruante ndër të tjera Basha.