Ashtu si gjithë shqiptarët, edhe memaliotët nuk dëshironin të shkonin në votimet, për zgjedhjet vendore të 2019-s, jo vetëm të përçarë, por edhe të votonin të detyruar për kandidatin e vetëm dhe pa rival! Kjo ndodhi, pasi ishte vetëm kryetari (kohës) i PD-së, Lulëzim Basha, që me politikën e tij të gabuar, vendosi që të mos futej në zgjedhje apo dhuratën e paramenduar që i bëri maxhorancës, politika këto, që e morën në qafë gjithë shpirtin e lirë shqiptar.
Nisur nga kjo situatë, edhe kandidati i Rilindjes së këtyre zgjedhjeve vendore, z. Gjolek Guci, u gjend i vetëm si kandidat për t’u votuar dhe si e tillë i garantuar për të fituar. Kandidati Guci, ndihej sa i sinqertë edhe i shqetësuar për këtë situatë dhe si e tillë, u bënte thirrje publike, jo vetëm forcave politike, por edhe individëve, për të shpallur kandidaturën, pasi kërkonte një përballje dhe fitore me meritë.
Tek sytë e të tjerëve, u dukë sikur fati i buzëqeshi me fitoren e lehtë dhe pa kundërshtarë, por koha tregoi se përgjatë mandatit të tij, u dukë qartë se u braktis plotësisht nga qeveria qendrore edhe pse ai vetë, i përfaqësonte. Përveç fondeve të detyruara për asistencat dhe shërbimet e nevojshme sociale, ai u përballë me një embargo të vërtetë edhe pse të pashpallur. Qeveria qendrore justifikohej, se bashkitë duhet të krijojnë mundësi vetëfinancimi, për të mbijetuar, në të kundërt do të kalonin drejtpërsëdrejti nën qeverisjen e qeverisë qendrore.
Kryetari i bashkisë, bëri të pamundurën dhe mbijetoi si bashki edhe pse banorët e saj kanë dekada që jetojnë në varfëri të tejskajshme! Bashkia e Memaliajt, përjetoi të kundërtën e Bashkisë së Tepelenës, e cila përjetonte përmbytje të njëpasnjëshme nga fondet me euro shumëmilionëshe. Varfëria e goditi akoma më shumë Memaliajn, në kohën e kovidit, që përveç marrjes së jetëve nga ky virus, përjetoi humbje jete edhe nga mos ushqyerja, si pasojë e varfërisë!
Bashkia edhe pse u mundua jashtë mundësive të saj, nuk mundi që të fitonte imazhin e vërtetë, pasi askush nuk është në gjendje të plotësojë nevojat e një komuniteti, nëse nuk ka buxhet apo fonde ndihmëse nga qeveria qendrore.
Kryetari bëri aq sa mundi, duke u munduar akoma më shumë në gjashtëmujorin e fundit të mandatit të tij, për të zbatuar me intensitet, fragmente në disa nga projektet e tij, por të shpërndara në të gjithë territorin e Bashkisë.
Kjo e dëmtoi shumë atë, në psikologjinë e komunitetit duke u shfrytëzuar nga të dy krahët e forcave politike. Socialistët shpreheshin se: “…po punojmë për të zbatuar programin..”, ndërsa demokratët e propagandonin si një lëvizje vetëm për të fituar votat. Lëvizja e vonuar e kryetarit, ishte e detyruar, pasi vetëm kur mori makineritë e rënda si ndihma, nga një fond për zhvillim që jep çdo vit, ambasada japoneze. Për aq periudhë të shkurtër, kryetari i kohës, z. Gjolek Guci, i shfrytëzoi me shumë shpejtësi, efikasitet dhe i detyruar të hapej me punimet në gjithë bashkinë. Falë kësaj pune gjashtëmujore, arriti që të dilte në zgjedhje me një rezultat shumë të ngushtë. Nëse këto automjete do t’i merrte më parë, padyshim që do të përfitonte më shumë besim për zgjedhjet e 14 Majit 2023, pasi do të realizonte më shumë punime dhe do kishte se çfarë t’iu prezantonte komunitetit për të ardhmen. Nëse do të kishte mbështetjen e qeverisë qendrore, duke vërshuar fondet me euro shumëmilionshe, siç ndodhi në Tepelenë, padyshim që fitoren do ta kishte të sigurt dhe me një rezultat shumë të thellë.
Përgjatë mandatit të tij, pati një mbështetje shumë të pakët nga deputetët e zonës, për të mos thënë aspak. Shprehem kështu, pasi banorët e Bashkisë Memaliaj, që banojnë nëpër fshatra, kanë dekada që shprehin shqetësimet e tyre, në lidhje me rrugët kryesore që i lidhin me fshatrat e tjerë dhe me rrugën nacionale, për të shkuar në spital, shkollë, punë; për të marr ndihmën e shpejtë mjekësore dhe shkuarjen e zjarrëfikseve, pa harruar më jetiken, që të kenë mundësi për të punuar tokat e tyre me mjetet bujqësore, për të prodhuar, transportuar dhe tregtuar. Duke u ndier kompletë të paralizuar, izoluar, të zhgënjyer e të mashtruar, nga çdo qeveri vendore dhe qendrore, padyshim që do të shpresonin me votën e tyre, tek premtimet e atij, që ishte i paprovuar.
Një tjetër lëvizje e kryetarit të kohës që u shfrytëzua nga demokratët, ishte prishja e disa lulishteve dhe mureve që kishin bërë memaliotët, përreth shtëpive të tyre. Në këto kopshte, të cilat datonin nga 50 deri në 60 vjet, ku të parët i kishin ngritur, jo vetëm për të mbajtur disi larg fëmijët e lagjes, të cilët luanin afër dritareve ku ata flinin dhe u prishnin gjumin, që për një punëtorë nëntoke apo sipërfaqeje, të cilët punonin me turne, ishte shumë i shtrenjtë, pasi u kushtonte jetën. Tjetra, ishte se me këto kopshte, ata përballonin sadopak fukarallëkun, pasi me kalimin e kohës, ata kishin kultivuar fruta, perime, zarzavate dhe me ndonjë peshk që kapnin në Vjosë, kalonin vaktin e këtyre, përgjatë këtyre 33 viteve të tranzicionit. Këto kopshte që nga jashtë dukeshin si lulishte, ishin si gjëja më e shtrenjtë, që prindërit u kishin lënë nga kjo jetë dhe fëmijët tregonin një kujdes të veçantë, pasi saherë që dilnin në kopështe, u dukej sikur do takonin prindërit e tyre.
Kryetari mori një guxim të madh për prishjen e tyre, pasi ishte i domosdoshëm për çlirimin e disa territoreve publike, që do të shërbenin për trotuare dhe lulishte publike, por siç duket këshilltarët e tij, nuk e kanë marr parasysh mentalitetin e komunitetit. Prishja e tyre e bë me ultimatume zyrtare, në vend që të bëheshin në fillim, dëgjesat publike dhe aty të fitohej mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Tek ato kopshte, ata përjetonin një bashkëjetesë shpirtërore dhe imazhi me prindërit e tyre dhe ata i përjetuan tragjikisht shkatërrimin e tyre, saqë hidhërimi nuk njihte më thellësi. Nëse do të vendoste prishjen e kopshteve dhe lulishteve, duhej të zbatohej për të gjithë, jo vetëm për ato familje të lodhura nga varfëria dhe ato me bindje të djathta, por edhe për ata me bindje të majta.
Memaliotët duke bashkëjetuar si një familje e madhe, mes fiseve, miqve, shokëve dhe të njohurve të vjetër, kanë ditur të komunikojnë dhe t’u gjenden krahë njëri-tjetrit qysh nga koha e punës së nëntokës, duke e lënë mënjanë luftën e klasave, pasi koha e ka treguar, se ka patur shumë të persekutuar që u kanë shpëtuar jetën edhe atyre që ishin komunistë dhe u bënin moral, propagandë apo edhe i dënonin në emër të popullit, nëpër mbledhjet kolektive. Ishin këto situata që ndikonin për mirë, në forcimin e marrëdhënieve midis tyre dhe ato vazhdonin edhe në sipërfaqe të tokës, duke komunikuar edhe në heshtje. Ndryshimi i sistemeve, solli edhe pluralizmin në familjet shqiptare, si e tillë edhe tek ato familje memaliote, por gjithsesi ata e mbështesnin njëri-tjetrin tek kutia e votimit, pasi nuk kanë sesi të mohojnë lidhjet dhe njohjet farefisnore, familjare dhe të prindërve të tyre. Prishja e listuar e këtyre lulishteve, solli një tronditje të thellë por edhe të heshtur, pasi kundra kryetarit votuan edhe ata që nuk iu prishën lulishtet, me mendimin se në mandatin e dytë, kryetari do ua prishte të gjithëve. Kjo ishte një fushatë e heshtur, që qarkullonte tek familjet dhe miqtë e tyre në qytet dhe gjithë bashkinë, duke krijuar kështu perimetra me shpirt të atillë pakënaqësie nëpër lidhjet familjare, që vështirë t’i manipuloje edhe sikur të sillje gjithë qeverinë Rama, për të bërë fushatë në Memaliaj!
Një tjetër pakënaqësi tek banorët, u krijua në kohën kur bashkia filloi të bënte izolimin e tarracave të pallateve, pasi nga puna e shpejtë dhe jo cilësore, gjithë shiu i parë që përjetoi qyteti, binte brenda në familjet që banonin në katin e fundit, nën tarraca. Edhe pse banorët ankoheshin për shqetësimin në fjalë, përcilleshin me premtime, por koha e tregoi se asgjë nuk ndryshoi, përveçse në shenjë hakmarrje, vota e tyre u kaloi kandidatit të paprovuar, por që bënte fushatë duke premtuar.
Ajo që demoralizoi memaliotët, ishte se kryeministri Rama hapi fushatën buzë Vjosës duke mbjellur pemë, në vend që të ecte nëpër Memaliaj dhe të takonte familjet memaliote, për t’u njohur më mirë me realitetin e përmbytur nga papunësia dhe varfëria. Edhe pse nuk e bëri këtë lëvizje, qoftë edhe për kortezi, në fushatë ai bëri vetëm premtime, të cilat ishin pa shpresë tek memaliotët, pasi ai, jo vetëm nuk kishte mbajtur premtimet e para, se do ta mbështeste me fonde, por bëri të kundërtën, duke e lënë qeverinë vendore në mëshirë të fatit dhe në kufijtë e mbijetesës. Të kundërtën bëri, me Bashkinë e Tepelenës. Kryeministri dhe të tjerë, harrojnë që banorët e Bashkisë Memaliaj, dinë të presin, por edhe të përcjellin.
Një tjetër disavantazh për kryetarin Guci, ishte se nuk pati shumë kohë të bënte për vendlindjen e tij, pasi preferoi më shumë të bënte për trevat e tjera, për të mos u paragjykuar. Kjo i dha shumë avantazh kandidatit, kundërshtar, z. Albert Malaj, i cili vinte po nga e njëjta zonë dhe si e tillë, e gjithë treva e njehë për djalë korrekt, familjar, punëtor, intelektual, atdhetar dhe aq më shumë, i pa vënë në provë, ndikoi shumë për ta votuar kandidatin, si bir i asaj zone dhe për partinë, nuk ndryshuan mendim, por ja dhanë sërish PS-së.
Për të patur një votë të pandikuar në këto zgjedhje lokale edhe pse kisha dëshirë ta fitonte z. Gjolek Guci, vendosa që në faqen Memaliaj, të cilën e kam krijuar dhe e mbarëvajtë prej 13-vjetësh, të mbaj një pozicion asnjanës, si në komente, por edhe në postime, duke e lënë faqen të hapur për këdo. Duke parë që asnjë nga kampet e fushatës, nuk bëri asnjë postim për të mbështetur kandidatin e tyre, vendosa që këtë gjest vullnetar, ta bëja vetë, duke shpërndarë në faqe edhe postimet nga të dy krahët e kandidatëve.
Nisur nga tre sondazhet që bëra në faqe, vura re ndryshimet midis tyre, duke përcjell një realitet sa të çuditshëm, por edhe real. Në sondazhin e parë, merrnin pjesë, Gjolek Guci (kryetari aktual) dhe Albert Malaj (kandidat). Kandidati, Gjolek Guci shkëputet me shumë me vota, por i afrohet me kohë kandidati, Albert Malaj. Nga komentuesit në faqe, më vënë në dijeni se ishte bërë një lapsus me mbiemrin e Gjolekës, nga Guci në Malaj, që përkon me emrin dhe mbiemrin e një bashkëqytetari tjetër, të cilin e kam shok dhe mik të vjetër. As vetë nuk e kuptoj, sesi ka ndodhur ky lapsus, pasi kam qenë shumë i kujdesshëm, por për momentin u shpjegova se mund ta kenë sulmuar faqen, gjest që më vonë nuk e kam pranuar, pasi nëse do të ishte një veprim i tillë, mund të kishin vazhduar edhe më tej, duke e eliminuar faqen nga Facebook-u. Ajo që ka më shumë të ngjarë, ku unë sot e mendoj edhe pse e kam shpjeguar në fillim të paragrafit, është se ka ndikuar shumë emri dhe mbiemri i të dy bashkëqytetarëve, duke u përfshirë gjithashtu edhe mbiemri i kandidatit Malaj. U detyrova që ta hiqja dhe të ripostoja dy sondazhe të tjetra. Tek sondazhi i pari që postova më 5 Maj, vendosa vetëm të dy kandidatët e lartpërmendur dhe tek tjetri, i postuar më 10 Maj, shtova edhe emrin e memaliotit, Xhevit Kacorri, i cili ishte në garë për këshilltar nga PAA, por aty e vendosa të barabartë me kandidatët e tjerë për kryetar bashkie, jo paqëllim, por për të parë, jo vetëm balancën por edhe vendosmërinë e votuesve
Në sondazhin e 10 Majit, u morën këto rezultate: Gjolek Guci (PS) 33%, Albert Malaj (FB) 55% dhe Xhevit Kacorri (PAA) 11%, por më të përqëndruar ishin tek sondazhi i dy kandidatëve të vetëm dhe real përballë njëri-tjetrit, e cila dha këto rezultate: Gjolek Guci (PS) 49% dhe Albert Malaj (FB) 51%.
Nisur nga këto sondazhe, më 13 Maj, postova një opinion tim, të cilën po e sjellë në vijim: “Vota e frikshme! Nga tre sondazhet (më shumë test psikologjik), që u bënë në faqe dhe nga komentet e komentuesve, del se pjesa më e madhe e memaliotëve, heshtin, të vakët në komente dhe e kanë lënë të flasin në kutinë e votimit! Nuk janë të sigurt kush do fitojë, prandaj nuk dalin hapur edhe pse janë të vendosur, për të fundosur votën e tyre në kutinë e votimit! Këto zgjedhje janë shumë interesante për nga zhvillimi, por shpresoj që vota të mos vidhet dhe pa përplasje fizike ndërmjet komisionierëve! Nëse memalioti, Xhevit Kacorri, apo ndonjë tjetër do të kandidonte për kryetar, zgjedhjet do të shkonin në balotazh dhe prej andej, do varej tek fushata e dytë! I urojë fitoren atij që e meriton!
Pas 14 Majit, do jetë gjest fisnik që të pranohet rezultati nga kandidatët, të shtrëngojnë duart dhe pse jo; edhe të bashkëpunojnë.”
Të jem i sinqertë për lexuesit, pasi askush nuk mund të fshihet para Zotit, kisha dëshirë që këto zgjedhje t’i fitonte kryetari në detyrë, Gjolek Guci, për arsye të shumta si: Për përpjekjet e tij të bëra, në gjashtëmujorin e fundit, të cilat i përmenda në fillim të shkrimit, më dhanë shtysë, për t’i dedikuar një shkrim, sa vlerësues edhe inkurajues, me titull, “Pse po thyej rregullin për të shkruar për një kryebashkiak të Memaliajt.”, e cila u publikua më 6 Tetor 2023, tek “American Eye”, ku përveç lëvizjeve të tij të përqendruara nëpër fshatrat e bashkisë, filloi edhe punimet e tij për ndërtimin e unazës buzë Vjosës, një ëndërr kjo e vjetër e memaliotëve, plus suvatimin e pallateve që e kishte në projekt dhe do ta zbatonte, me të siguruar fondet e nevojshme.
Madje shkrimin e kam mbyllur me këtë paragraf, si më poshtë:
“Padyshim që ka edhe banorë të pakënaqur, për interesa të ndryshme, deri tek ato me pritje partiake dhe është normale, pasi jo vetëm nga ekonomia shumë e dobët që ka kjo Bashki, por edhe sikur të ishte me një ekonomi më të fortë, si administratat e kaluara, do të dëgjoheshin pakënaqësi!
Shpresoj që ky kryetar, të rikandidojë duke u përballur edhe me kandidatë të tjerë, pasi jam kureshtar, për të parë se çfarë premtimesh do i bëjnë këta të fundit komunitetit, ndryshe nga kryetari aktual që e kaloi me sukses sprovën e mbijetesës.
Njëkohësisht shpresoj që qeveria qendrore të japë fonde dhe të mos e braktisi sërish, pasi flitet për fatin e mijërave banorë të kësaj Bashkie.
Nëse kryetari me administratën e tij do na zhgënjej, nuk do ndalemi për të shprehur të vërtetën!”
Duke parë që kryetari aktual i kohës, Gjolek Guci, ishte përfaqësuesi i Partisë Socialiste, e cila drejtonte edhe qeverinë qendrore, mendova se do të kishte një vëmendje më të qartë nga qeveria, me shpresën se kjo e fundit do të ndryshonte qëndrim, aq më shumë nga ardhja në fushatë e kryeministrit, Rama, i cili premtoi se do të ndihmonte me fonde, për realizimin e projekteve të kësaj Bashkie. Ndërsa kandidati, Albert Malaj, vinte nga një kualicion, jo me shumë mbështetje për kohën dhe aq më shumë, nga kriza politike dhe përçarja brenda Partisë Demokratike, moment ky që po të fitonte zgjedhjet, nuk do kishte aspak mbështetjen nga qeveria qëndrore.
Më duhet të përmend, për të sqaruar edhe njëherë rastin tim, kur një ditë para votimeve, shpërndava tek profili im, një postim të kandidatit, Albert Malaj, e cila u komentua tek memaliotët, si një mbështetje nga ana ime edhe pse në publik isha deklaruar asnjanës. Në faqe e bëra publike, se kjo do ketë ndodhur aksidentalisht, pasi më të shumtën e shpërndarjeve, i kam bërë kur kam qenë duke udhëtuar me makinë dhe në vend që të zgjidhja lidhjen e duhur për ta hedhur në grup, e kam hedhur tek profili im, të cilën e kam vënë re ditën e nesërme, ku edhe kam reaguar, shpjeguar dhe kërkuar falje publike. Unë ende besoj, se kjo që ndodhi, ka qenë e shkruar prej Zotit.
Votimet për zgjedhjen e kryetarit, përfunduan me fitoren e Albert Malaj me 3016 vota (52.25 %), kundrejt kandidatit tjetër, Gjolek Guci me 2701 vota (47.75 %). Do të isha më i qetë, nëse ky rezultat do të ketë qenë i pandikuar nga postimi në profilin tim, në mbështetje të kandidatit Malaj. Shprehem kështu, pasi nëse shikojmë rezultatin e ngushtë vetëm me 315 vota, padyshim që janë marr nga votuesit e lëkundur të qytetit Memaliaj, të cilët e kanë vendosur ditën e fundit, se kujt do t’ia besonin votën, por edhe atyre që nuk kanë patur ndërmend të votonin, por vendosën të votonin momentin e fundit. Shprehem kështu, pasi nisem nga disa biseda telefonike dhe mesazhe, që kam patur pas zgjedhjeve.
Më është dashur shumë punë dhe kohë me anë të postimeve me përmbajtjeve të ndryshme socialo-politike, që ndikojnë drejtpërsëdrejti tek frekuentuesit e faqes, se duhet të jenë nga krahu i të vërtetës, të pamanipuluar dhe me ata që mbrojnë interesat e tyre, të cilat bëhen të prekshme në familjet e tyre. Pra, duhet të jemi me atë palë apo individ, që i shërben më mirë popullit.
Koha e tregoi se procesi i zgjedhjeve dhe numërimi i votave, u krye në mënyrë korrekte, duke nxjerr fitues kandidatin më të votuar, z. Albert Malaj (BF). Ajo që ndodhi për herë të parë dhe u bë publike, ishte se të dy kandidatët, pranuan rezultatin, shtrënguan duart dhe uruan e përshëndetën njëri-tjetrin.
Z. Gjolek Guca, do të mbahet mend si kryebashkiaku, që bëri të pamundurën për të mbijetuar si bashki, duke përballuar të gjitha vështirësitë edhe pse nuk pati mbështetjen nga qeveria qëndrore, që udhëhiqej nga e njëjta forcë politike, që ai ende aderon dhe e solli atë në pushtet. Ishte i pari kryebashkiak që filloi pastrimin e kanalit kullues që merret edhe si vija e verdhë, për t’i paraprirë çdo prurje nga shirat jo normal, që mund të përmbytnin qytetin. Gjithashtu edhe për fushatat për shtimin e gjelbërimit dhe pastrimin e qytetit dhe periferisë ku përfshihet edhe lugina e Vjosës, që përqafon qytetin, pa harruar edhe pastrimet përgjatë rrugës nacionale. Do të mbahet mend si kryebashkiaku, që mori guximin për çlirimin e disa territoreve në qytet të zëna nga banorët dhe i kaloi për shërbimet publike. Është i pari kryebashkiak që bëri izolimin e të gjitha tarracave të pallateve në qytet. Duhet përshëndetur për periudhën e vështirë të kovidit, të cilën e kaloi duke dhënë në çdo drejtim, mbështetjen maksimale nga ana e bashkisë, pa harruar duke shpërndarë edhe ndihma për të moshuarit dhe familjet në nevojë. Bëri të pamundurën, për të ndërtuar bibliotekën që kishte mbi tre dekada që i mungonte qytetit. U ndërtuan gjithashtu, resorti “Sancho Farm Albania” dhe “Bujtina Vjosa”, si pioniere të para për promovimin e turizmit në Memaliaj. Për herë të parë, mundësoi ngritjen e një mense, ku të merrnin dy vakte banorët në nevojë. Filloi gjurmët e para të unasës buzë Vjosës, nga krahu i Kasaphanës. Është përpjekur duke zgjeruar, kanalizuar dhe shtruar disa segmente rrugore nëpër bashki, përfshirë këtu edhe rindërtimin e disa urave në këto segmente. Do të mbahet mend si kryebashkiaku i parë, që bëri të mundur sigurimin e makinerive të rënda të punës dhe i’u lanë si trashëgimi kryebashkiakut pasardhës, të cilat po i shfrytëzon me efikasitet të plotë, në shërbim të komunitetit. Duhet të jemi të sinqertë, se pa këto automjete të rënda pune, Bashkia ndihet pothuajse e paralziuar, pasi me kazma dhe lopata, nuk mund të realizosh projekte madhore. Edhe pse në ditët e fundit të mandatit të tij, bëri të mundur sigurimin e fonedeve nëpëmjet miratimit nga Fondi Shqiptar të Zhvillimit, ku në marrëveshje për objektin shkruhej: “Mbrojtja nga rrëshqitjet dhe ndërtimi i veprave të artit, në aksin rrugor Ura Ali Pasha – Damës.”, Bashkia Memaliaj.
Nëse do të lexojmë me kujdes edhe daljen publike, pas zgjedhjeve të kryebashkiakut, Gjolek Guci, lë shumë për të kuptuar, për çfarë përmenda përgjatë shkrimit. Në profilin e tij, ai shkruan:
“Të nderuar bashkëqytetarët e mi!
Ju jam mirënjohës dhe dua të falënderoj të gjithë ata që na besuan me votën e tyre. Unë së bashku me ekipin tonë, jemi përpjekur të bëjmë më të mirën për komunitetin e Memaliajt.
Udhëtimi jonë, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së ekipit ka qenë i vështirë, me një bashki me problematika të mëdha, me pak fonde dhe investime. Pavarësisht rezultatit, ndihem krenar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe dua të falënderoj përzemërsisht komunitetin, që tregoi vlerat e qytetarisë dhe kulturës që e karakterizon.
Ne folëm me punë dhe ide të reja, ndërsa shpresoj që punët të vazhdojnë edhe nën drejtimin e ri.
Ju garantoj se deri në ditën e fundit të mandatit tim, ekipi jonë do të vazhdoj punën me të njëjtin intensitet dhe vendosmëri.
I uroj suksese kryebashkiakut të zgjedhur dhe i kërkoj që të jap maksimumin për të mirën e komunitetit.
Gjolek Guci”
Në mbyllje të këtij shkrimi edhe pse disa muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, duhet të theksoj, se fitorja e z. Albert Malaj, ishte plotësisht e merituar, ku vota e votuesit, u lexua si një përpjekje tjetër e radhës, për të shpresuar, për një të ardhme disi më të mirë! Kryebashkiaku i ri befasoi, jo vetëm me fitoren e tij, duke e kthyer Bashkinë Memaliaj, në një “Ishull blu”, por duke punuar dhe realizuar që në fillimet e punës së tij, shumë premtime, por edhe të tjera të dala përgjatë ditëve në vazhdim, siç janë, ato të aktiviteteve kulturore-spotive, ambientit dhe gjelbërimit, festave lokale, por edhe ato të ndërhyrjes dhe mirëmbajtjes në infrastrukturën rrugore duke arritur dhe në shtrimin me asfalt. Është një kryebashkiak që me punën e tij, vetëm në gjashtëmujorin e parë të mandatit të tij, ka treguar se është shumë energjik, i përkushtuar, i kujdesshëm në pritjet dhe bisedat me banorët, kur takohen në zyrën e tij dhe dëgjesat publike, vizionar dhe i vendosur për të realizuar projektet dhe premtimet që ka bërë përgjatë fushatës edhe pse ka në zotërim një buxhet shumë të pakët. Nga çfarë kam parë në postimet e fundit tek profili i tij, të lë të kuptosh se po punon për të siguruar të ardhura për buxhetin, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e Bashkisë, për të kryer punët dhe shërbimet publike, që deri dje janë bërë nga kompanitë private, të cilat i kanë fituar me tendera.
Ajo që ra në sy tek banorët e Bashkisë, është se vetëm për një kohë të shkurtër si kryebashkiak, Albert Malaj, u futë në histori, si kryebashkiaku i parë, që nuk bëri dallime dhe spastrime në administratë, në bazë të bindjeve politike, por duke u nisur nga aftësitë e secilit, ku sot kjo administratë, ka gjysmën e nëpunësve nga administrata e kaluar. Një tjetër vlerë historike që mban emrin e tij, është edhe ajo e kurorëzimit për herë të parë të një feste, kushtuar memaliotëve dhe qytetit të tyre, të pagëzuar me emrin “Memaliaj na thërret”. Kjo festë u iniciua, u pagëzua deri në përjetimin e saj, me vendimin personal të kryetarit dhe kujdesin e tij, pas 76-vjetësh, ku përkon me gushtin e vitit 1947-të, kur është ngulur thupra e parë e kasolles së nënë Pero Minai, e cila në atë kohë, punonte në sipërfaqen e Sektorit të I-rë të minierës. Kryebashkiaku Albert Malaj, duhet mbështetur, pasi dita-ditës me punën e tij, po tregon se është i paparashikuar dhe kryebashkiaku i të gjithëve!
Le të shpresojmë se deputetët e zonës, do të lobojnë fort tek qeveria qendrore, për të siguruar fondet e mjaftueshme, për zbatimin dhe realizimin e projekteve që ka përgatitur qeveria e sotme vendore, e Bashkisë Memaliaj.
Edmond Ismailati
Dhjetor 16, 2023