Kryesore Pse kufiri grek vijon të jetë i mbyllur vetëm për shqiptarët

Pse kufiri grek vijon të jetë i mbyllur vetëm për shqiptarët

Greqia është një nga destinacionet kryesore për shqiptarët, por shteti fqinj ka shtyrë deri më 15 qershor mbylljen e kufijve për Shqipërinë.

Fatos Malaj, specialist për çështjet e emigracionit në Greqi tha për Euronews Albania se shtyrja sërish e hapjes së kufirit grek i lë shqiptarët të fundit nga shtetasit e tjerë të Ballkanit Perëndimor lidhur me të drejtën për të hyrë në Greqi, por kjo sipas tij nuk duhet parë politikisht.

Sipas z. Malaj, arsyet që i shtynë ekspertët e shëndetit në Greqi të vendosnin këto kufizime vetëm për shtetasit shqiptarë lidhet me mundësinë e dyndjes së një numri të madh shtetasish shqiptarë, të afërm të emigrantëve që jetojnë kryesisht në Athinë.

“Dëgjohen shumë zëra për arsye politike, por unë e shoh për arsyen se shtetasit e vendeve të tjera të rajonit e vizitojnë Greqinë kryesisht për turizëm. Sa i përket Shqipërisë, ekspertët e mjekësisë e panë në një këndvështrim tjetër, se duke hapur kufirin me Shqipërinë do të kishte dyndje të familjarëve të emigrantëve”, shpjegoi ai.

Z. Malaj shpjegoi se shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe janë me leje qëndrimi vazhdojnë të kalojnë rregullisht, ndërsa pika e Kapshticës është e hapur për punonjësit sezonalë nga Shqipëria.

Ai mohoi për neglizhencë nga ana e përfaqësuesve të shtetit shqiptar në Athinë lidhur me këto shqetësime për shqiptarët, teksa theksoi faktin se është në dijeni se përfaqësues të ambasadës shqiptare kanë pasur takime të vazhdueshme me qeveritarët grekë lidhur me këto probleme.