BMW prezantoi me krenari pak ditë më parë makinën e lyer me të “zezë absolute”, që i jep asaj statusin e makinës më të zezë në botë. Vetë kompania gjermane thotë se dëshiron që ta shohë automjetin në rrugë, por kjo vështirë se mund të ndodhë.
Automjeti i serisë X6 të BMW-së u përzgjodh për t’u lyer me bojën më të zezë që ekziston. Boja në fjalë është forma më e pastër e së zezës dhe përthith të gjithë dritën që bie mbi të, pa reflektuar asnjë grimcë të saj.
Kjo do të thotë se me të tillë ngjyrë që përthith 100 për qind dritën, makina do të dukej si një objekt dydimensional. Për ta shmangur këtë iluzion optik, inxhinerët e kompanisë gjermane e zbehën ngjyrën për të reflektuar 1 për qind të dritës.
Dizenjuesi i X6, Hussein Al Attar thotë se kjo ngjyrë mund t’i bashkohej larmishmërisë së ngjyrave të tjera me të cilat BMW hedh në treg këtë seri të prodhimeve të saj, që konsiderohet si një ndër më të suksesshmet. Por, vetë kompania tregohet e matur.
Për të siguruar ngjyrën “e zezë absolute” është përdorur teknologjia, duke bërë bashkë copëza mikroskopike të karbonit. Metoda është mjaft e kushtetueshme dhe e papërballueshme edhe nga klientët e majme të BMW. Deri më tani, kjo teknologji është përdorur vetëm për të lyer teleskopët e vendosur tek satelitët artificialë në orbitën e Tokës për të shmangur reflektimin e rrezeve të Diellit.
Kostos së lyerjes i shtohet edhe kostoja e vazhdueshme e konsumit të karburantit të automjetit. Edhe vetë inxhinierët dhe ekspertët e BMW-së ranë dakort se për hedhjen në rrugë të një makine me këtë ngjyrë do të nevojitej një motor shumë më i fuqishëm se motorët e zakonshëm. E gjitha kjo për faktin se përthithja e të gjithë dritës do të bënte që temperaturat brenda makinës të arrinin vlera maksimale edhe me pak diell. Në këto kushte, nevojitet një sistem ajri i kondicionuar më i fuqishëm, që rrjedhimisht me një kosto konsumi sa dyfishi i sistemeve të makinave X6 normale.
Përveç kësaj, është edhe problemi i vizualitetit dhe sigurisë rrugore. Një studim i fundit në Gjermani doli në përfundimin se makinat me ngjyrë të zezë normale kanë 47 për qind më shumë mundësi të aksidentohen, sidomos gjatë muzgut dhe agimit, ndaj imagjinoni mundësitë që një makinë që është më e zezë se e zeza të përfshihet në një aksident.
Megjithatë, më shumë sesa ambicia për ta hedhur në treg këtë makinë, nisma e BMW-së ka qenë ambicie marketingu para shfaqjes së modelit në Panairin e Automjeteve në Shtutgart këtë shtator.