Pica: çmime të nivelit të lartë apo ushqim i përballueshëm për njerëzit? Kjo është pyetja që po bëhet prej disa ditësh mes miliarderin italian Flavio Briatore dhe shefave të kuzhinës në Napoli, ku prodhimi i picave ka statusin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Një element kryesor për italianët dhe e preferuar në mbarë botën, pica tradicionalisht është bërë nga përbërës të thjeshtë, me restorante në qytetin jugor të Napolit që shërbejnë pica klasike Margherita për vetëm 4 euro.
Briatore sfidoi këto çmime të ulëta duke shitur pica me përbërës si tartufi për 65 euro. Ky çmim ka krijuar debat si në Itali ashtu edhe në Londër ku miliarderi po i shet ato në restorantet e tij.
“Pica me 4 euro, çfarë i vendosin këta?”, ka shkruar Briatore në Instagram, duke hedhur poshtë Margheritan napolitane duke e cilësuar të lirë sepse ka vetëm brumë dhe domate.
Shefi Sergio Miccu, president i shoqatës napolitane të prodhuesve të picave, u kundërpërgjigj, duke akuzuar Briatore për tradhti të trashëgimisë modeste të picës.
“Pica ka ushqyer breza të tërë, duke kapërcyer luftën dhe kolerën”, tha ai në një deklaratë.
Në përgjigje të komenteve të Briatore, një nga kuzhinierët më të famshëm të picave të Italisë, Gino Sorbillo, shërbeu pica falas përpara restorantit të tij në Napolin qendror.
“Briatore thotë se pica e lirë nuk është e mirë? Një picë është e mirë edhe nëse jepet falas”, tha ai.
Duke u munduar të arrijë një armëpushim, Sorbillo ka sugjeruar që për një mbrëmje, kuzhinierët e Briatore të përgatisin picat e tyre krah për krah me kuzhinierët napolitan “për t’i lënë klientët të shijojnë picën që duan, si atë tradicionale napolitane ashtu edhe picën ‘e kripur’ 65 euro.